Nuredin Dumani ka dëshmuar së fundmi në SPAK se i shumëkërkuari Talo Çela ka eleminuar Fatmira Dedën, një vit pasi viktima kërkonte drejtësi për djalin e saj Elvis Deda të cilin ia vranë.
Duke mos gjetur autorët Fatmira kërkonte që drejtësia të vihej në vend, por pasi nisi betejën e saj në rrugë ligjore, ajo u gjet e vdekur më 14 shtator 2013.
Fatmira Deda, një vit, pasi i ekzekutuan djali, u qëllua me mjete metalike, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej” në zonën e Fermentimit për të marrë makinën e saj. Në momentin që ajo ndodhej e vetme në garazh, persona të paidentifikuar e kanë qëlluar atë me mjete të forta në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa autorët e krimit janë larguar në drejtim të paditur.
Bëhet me dije se Nuredin Dumani ka dhënë informacione të rëndësishme për prokurorinë për shumë ngjarje që ka pasur informacione apo dhe ka qenë i përfshirë.
Deri më tani janë goditur 8 grupe kriminale që akuzohen për vrasje, rrëmbim personi dhe gjobvënie. Operacioni për kapjen e personave u shtri në katër qytete, Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Lezhë. Forcat speciale kanë bërë të mundur të kapin vetëm 13 persona, disa prej të cilëve të arrestuar më herët për ngjarje të tjera kriminale. Asnjë nga të dyshuarit si drejtues të grupeve kriminale nuk është vënë në prangat e policisë.
Ndërkohë që u kanë shpëtuar prangave Talo Çela, Erivis Martinaj, Suel Çela, Agron Mehja apo dhe Florenec Çapja, të proceduar disa herë për krime të rënda. Mësohet se gjatë kontrolleve në hotelin e Ervis Martinajt janë gjetur maska dhe sende të tjera të dyshuara që përdoreshin në ngjarje kriminale. Mos kapja e tyre lë të kuptohet se operacioni i policisë mund të jetë dekonspiruar. I shpallur në kërkim është edhe avokati Alkond Bengasi cili njihet si avokati i bandave kriminale.
Detajet e reja janë zbardhur pas aksionit të SPAK ku janë lëshuar 32 mandate arresti në kërkim të 32 personave mes të cilëve 18 gjenden nën pranga.
SPAK ka vendosur të veprojë vetëm ditën e djeshme. Ka qenë gjykatësja Atalanta Zeqiraj që ka firmosur kërkesat e SPAK./m.j