I arrestuar me bujë nga Forcat Speciale RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Ferdinand Llanaj ka lënë qelitë e paraburgimit.
Gjykata e Vlorës ka ndryshuar ndaj tij masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest në shtëpi”. Akuzat ndaj Llanajt, i njohur me nofkën “Robi” lidhen me kultivimin e bimëve narkotike dhe tetë muaj pas arrestimit, gjyqtarja Mirela Mishgjoni, ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj 44- vjeçarit me precedentë penalë.
OPERACIONI
Më 27 gusht të vitit të shkuar, Policia e Shtetit bëri me dije rezultatet e operacionit të koduar “Otima”, kur midis tre personave të arrestuar, ishte edhe 44- vjeçari Llanaj. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëritjetrin, kishin kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh kanabis sativa në ambientet e banesës së Llanajt dhe në ambientet përreth një objekti po në pronësi të këtij shtetasi, në vendin e quajtur “Përroi i Otimës”, në Selenicë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis, 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular dhe një shumë parash.
NGJARJET KRIMINALE
Sekuestrimi i 600 bimëve kanabis sativa në procesi rritjeje si dhe një sasi të vogël boçesh në banesën e Llanajt e çuan atë sërish në prangat e Policisë. Pesë vite më parë, më 1 tetor të vitit 2017, në Rrugën Transballkanike u qëllua me breshëri automatiku, teksa udhëtonte me mikun e tij, Dritan Begaj, si dhe një person të mitur.
Ai i shpëtoi atentatit, duke mbetur i plagosur. Atentati riktheu ngjarjet e vjetra kriminale të fisit Llanaj, që datojnë që prej vitit 1998, ku ata u përfshinë në një konflikt me familjen Xhaferraj, ku mbeti i vrarë kunati i Baftjar Llanajt, e pak më vonë u plagos edhe një anëtar i fisit Xhaferraj.
Pesë vite më vonë, në vitin 2003, u vra edhe një nga vëllezërit e fisit Petraj. Hakmarrjet e nisura do të vijonin në qershor të vitit 2011, kur në vendin e quajtur “Bishti i Malit” u ekzekutua me armë automatike 62-vjeçari Baftjar Llanaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 qershor 2011 rreth orës 18:00 në rrugën që lidh qytezën e Selenicës me Vlorën, në vendin e quajtur “Bishti i Malit”.
Sipas burimeve të Policisë së Vlorës në atë kohë, 60- vjeçarit Llanaj i është zënë pritë, duke u qëlluar me breshëri automatiku nga të paktën dy persona. Pas krimit, Policia arrestoi autorin Sako Xhaferaj, nipi i Gjysho Xhaferaj, pasi Sako kishte mbetur vetë i plagosur në këtë ngjarje të rëndë.
Në shtator 2011, tentohet të vritet Nihat Xhaferaj, djali i viktimës Gjysho Xhaferaj të vrarë në 1998. Autori kapet dhe identifikohet si Altin Aliaj, nipi i familjes Llanaj. Pas krimit u arrestua Altin Aliaj, i cili më pas u lirua nga Gjykata. Në janar 2012 u vra në atentat Nure Xhaferri, 52 vjeç, djali tjetër i Gjysho Xhaferaj./panorama.al
g.kosovari