Nga Dritan Hila
Të propozosh një rezolutë për masakrën e Srebrenicës, mund të jetë objekt për psikiatër. Me siguri Sali Berisha dhe Tritan Shehu i cili ishte president i firmës “Shqiponja” e cila kontrabandonte karburante nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, ndjejnë një brengë që vetëm mjekësia mund ta shpjegojë. Ish-shefin e ndërmarrjes së PD dhe shefin real të saj, ose i ka zënë turpi ose amnezia.
Kush ka jetuar në ato vite në Shkodër apo Kukës e mban mend shumë mirë që kontrabanda me autobotë mund të bëhej vetëm me lejen e policisë dhe SHIK-ut të Gazidedes. Në liqenin e Shkodrës ishin tubacionet dhe varkat-tanker që transportonin çdo ditë e natë karburant në drejtim të Jugosllavisë së vogël. Natyrisht ishin edhe qytetarët që zgjeronin serbatorët e makinave për të nxjerrë bukën e gojës dhe shkëmbenin me qytetarë të thjeshtë malazez, por kjo ishte për nevoja të ngushta personale. Makineria e luftës së Millosheviçit u mbajt në këmbë nga karburantet që shkonin nga Shqipëria dhe Rumania. Sesa shumë ishin sasitë, e tregon lufta e sotme në Ukrainë ku rusët ngecën vetëm për shkak të mungesës së karburantit, aq më tepër që vetë Jugosllavia nuk prodhon asnjë litër naftë. Kurse makina e luftës së Millosheviçit funksionoi si sahat deri ditën kur kapitulloi nga bombardimet e NATO. Dhe merita padyshim që i takon edhe Berishës dhe Shehut.
Rikthimi i kësaj teme nga Berisha dhe Shehu është me siguri një testim sesa idiotë janë shqiptarët dhe sa mend mbajnë ata. Ose shpresojnë se një brez që ka lindur pas ‘97-ës e ka harruar se në Srebrenicë i kanë duart e lyera me gjak jo vetëm kush e shkrehu armën por edhe kush dha benzinë që kamionët dhe tanket serbe me milicë të shkonin deri aty.
Lufta në ish-Jugosllavi u zhvillua në kohën kur Berisha ishte njeriu i plotfuqishëm i vendit dhe strukturat e tij të sigurisë, përfshirë qenin roje të SHIK-ut, nuk lejonin askënd përveç njerëzve që punonin për ta që të bënin kontrabandë. Sikurse në Jugosllavi, një vend akoma komunist në mënyrën e organizimit, askush nuk mund të ishte pritësi nëse nuk punonte për UDB.
12 vjet pas kësaj masakre Damir Faslliç, nipi i Stanisha Stanishic, shef i UDB në kohën e Millosheviç mori pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Republikës Të Shqipërisë të kryesuar nga Sali Berisha i cili protestës së socialistëve në parlament iu përgjigj se do ua sillte edhe në sallë pasi e kishte mik shtëpie. Mik shtëpie nipin e shefit të shërbimit sekret serb nga vareshin edhe repartet speciale autorë të masakrave ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve? Këtë vetëm stomaku i shqiptarëve mund ta tresë.
Ndaj një rezolutë për Srebrenicën nga kjo dyshe është tallje me viktimat. Është njësoj sikur ta bënte Momir Bullatoviç. Por ky të paktën nuk ka qenë kaq i pafytyrë.
Kurse sa i përket votimit kundër të kësaj rezolute për t’u futur në rend dite është thjesht një veprim që e meritonte djallëzia e Berishës. Kjo rezolutë thjesht duhet përbuzur duke mos e futur në rend dite pasi e vetmja vlerë që ka është t’i japësh vlerë dikujt që e kanë zhvlerësuar të gjithë, që një masakër të dhimbshme tersi i shqiptarëve do t’i japë pas 30 viteve vlerën e litarit që Tersi i Pojanit la jashtë. Është gabim t’i japësh peshë një kufome politike i cili edhe për shkak se ka furnizuar makinerinë që vrau në Srebrenicë është shpallur “non grata”. Ndaj që vendi mos të gjendet rishtas përpara kurtheve të një njeriu që nuk i ka interesuar kurrë ky vend dhe popull, është urgjent ligji që personat me damkën e të padëshiruarit nga SHBA të zbohen nga Kuvendi. Këta njerëz janë më të rrezikshëm se ata që e kanë marrë këtë damkë për vjedhje pulash./dritare.net
Me te lumte o Hila; kjo eshte zgjidhja – ligj qe ndalon pjesemarrjen ne politike te personave “non grata'”. Saliu pastaj te vazhdoje me “foltoret”.