Sfidanti i Sali Berishës për kreun e PD në zgjedhjet e 22 majit, Ibsen Elezi, hodhi akuza të forta sot ndaj komisionit zgjedhor, të ngritur në selinë blu për këtë rast. Madje, demokrati kuksian iu vuri edhe nofka tallëse drejtuesve të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale. Të gjitha pretendimeve të tij, komisioni në fjalë iu është përgjigjur zyrtarisht:
“Komisioni mblidhet çdo ditë në orën 10:30 dhe qëndron në gatishmëri për t’u mbledhur në çdo moment të ditës, sa herë që ka nevojë për një vendimmarrje për të akomoduar çdo kërkesë të secilit kandidat, vendim që iu është bërë më dije përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar.
Njëkohësisht, Komisioni iu kërkon kandidatëve që të respektojnë deklaratën e firmosur nga ana e tyre për ruajtjen e normave të komunikimit etik politik, fokusimin në fushatë pozitive, duke u përqendruar tek platformat dhe alternativat politike si dhe mos përfshirjen në retorikë negative.
Komisioni është i angazhuar e do të vijojë punën me përkushtim për të garantuar garë të barabartë, procedura transparente në mënyrë që demokratët të zgjedhin me votë të lirë, të fshehtë, të barabartë e të drejtpërdrejt Kryetarin e Partisë Demokratike.
Ndërkohë, sqarojmë se z.Ibsel Elezi nuk ka dorëzuar ende asnjë kërkesë për takime në degë. Bazuar në Rregulloren e Brendshme mbi Modalitetet e Procesit Zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike, pikat 3, 5, 7 dhe 9, kandidatët janë ftuar të dërgojnë pranë Komisionit një draft-kalendar.
Komisioni ka për detyrë që menjëherë pas marrjes së kërkesës nga kandidatët apo përfaqësuesit e tyre të kontaktojë me degët përkatëse dhe të sigurojë njoftimin e anëtarësisë për çdo takim. Komisioni sqaron se ka marrë të gjitha masat për t’i siguruar çdo kandidati:
– Listën dixhitale të anëtarësisë;
– Ambiente pune dhe infrastrukturën e nevojshme elektorale si në selinë qendrore, ashtu edhe në selitë e degëve;
– Listën e kontakteve të drejtuesve në cdo degë të PD;
– Akses të plotë në zyrën e shtypit të PD”.
/a.r