Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka prezantuar sot projektvendimin e qeverisë, sipas të cilit, 61 ujësjellësat që janë në bashkitë e vendit, do të jenë vetëm 15 në të gjithë territorin.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Balluku tha se në këtë mënyrë do të menaxhohen më mirë financat por edhe resurset ujore. Ndërsa theksoi se Ministria e Infrastrukturës do të jetë aksioni mazhoritar në të 15 ujësjellësit e vendit që do të krijohen.
“Ujësjellësat, përveç faktit që ka pasur një investim të rëndësishëm në gjithë territorin shqiptar dhe disa prej tyre kanë arritur sot të performojnë sipas kërkesave dhe gjithë treguesve që duhet të përmbushin, nga ana tjetër ne nuk kemi qenë të kënaqur me performancën dhe menaxhimin që është bërë nga pushteti vendor. Për këtë arsye, pas një analize shumë të gjatë, AKUM ka bërë një propozim pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të nisur një agregim të sistemit të ujësjellësave.
Pra, nga 61 ujësjellësa që ndodhen në 61 bashkitë, të kalojmë me 15 ujësjellësa qëndrorë të cilët do të mirëmenaxhojnë financat, mirëmenaxhojnë të gjitha burimet natyrore të cilat kanë nën mbikëqyrjen e tyre dhe mbi të gjitha, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë aksioneri mazhoritar i secilit prej 15 ndërmarrjeve duke bërë kështu një mirëmenaxhim të të gjithë situatës, duke nisur nga kreditë e shumta që janë marrë gjatë gjithë kohës të tranzicionit, por mbi të gjitha për të vënë në jetë të gjitha politikat përsa i përket sistemit të ujësjellësave dhe të ujërave të ndotura. Menjëherë pas zbardhjes në Fletoren Zyrtare, do të nisë kjo reformë e thelluar, hapat e parë janë hedhur”, tha ministrja Belinda Balluku.
/a.r