Nga Jakin Marena
Ka një shpërthim pothuajse histerik të njerëzve të deklaruar si subjekt të drejtësisë nga radha e politikës shqiptare, ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi nga SPAK të thyejë “heshtjen” dhe të veprojë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend.
Rama deklaroi në esencë se SPAK nuk po vepron ndaj zyrtarëve të lartë të cilët janë shpallur “non grata”, apo që kanë bërë zullume me pasoja të rënda në këtë vend, dhe që jo vetëm po qëndrojnë të pandëshkuar nga ligji, por dhe bëjnë karshillëk ndaj SHBA, BE, shqiptarëve dhe japin mend se si mund të luftohet korrupsioni në këtë vend.
Kreu i qeverisë ishte thellësish i zhgënjyer me drejtësinë e re, “bastin” e tij politik që kur ishte në opozitë kur deklaroi se do ishte “kolona” mbi të cilën do lëvizë qeverisja e socialistëve, duke qënë iniciator, mbështetës i fortë ndaj ngritjes së institucioneve të saj që me ardhjen në pushtet, por dhe mbrojtësi më i madh pas ngritjes me shumë mundime të drejtësisë së re, për të funksionuar sipas parametrave të parashtruar në Kushtetutë dhe ligj dhe parametrave më modernë të iniciuar nga SHBA dhe BE.
“Kampioni i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë të DASH është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut. (…) Me një lehtësi të hatashme SPAK shkon dhe bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin. Ai sot e gjithë jetën jeton në një apartament të para viteve 90. Ndërkohë që ata që i ka vilat e rreshtuara, këta janë të gjithë duke pritur finalet e Champions Leagues”, ka deklaruar kreu i qeverisë Edi Rama disa ditë më parë.
Teksa në shënjestër ka qenë Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, që më se njëherë i ka bërë thirrje drejtësisë shqiptare që t’i vendosë para ligjit, vendimi i DASH është marrë pikërisht me motivacionin se Berisha ka ushtruar korrupsion të lartë, ka minuar demokracinë e ka ushtruar presion mbi drejtësinë, listës së njerëzve që duhen hetuar Rama i ka shtuar dhe presidentin Ilir Meta. Dhe për herë të parë, Rama ka artikuluar në publik hetimin e nisur ndaj Ardian Dvoranit, ku sipas kryeministrit e gjitha kjo është bërë sepse kështu ka dashur Ilir Meta.
Teksa i ka bërë thirrje SPAK që të mos merret me “cironka” por të hetojë dhe çojë para Gjykatës “peshkaqenët” e korrupsionit, Rama ka përmendur dhe faktin se më se njëherë BE ka kërkuar dhe ka futur si një nga kushtet më themelore, vënien para drejtësisëe të të gjithë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që kishin mbetur në vetting.
Dhe Rama ka të drejtë. Komisioni Europian, që në tetor të vitit 2020, një ndër kushtet e ngritura për qeverinë shqiptare në mënyrë që të hapen bisedimet për integrimin në BE ka qënë dhe hetimi i pjesëtarëve të drejtësisë të akuzuar për korrupsion dhe pasuri të pamerituar.
Në progres-raportin që Komisioni Europian publikoi në tetor të para dy viteve, i kushtohet një kapitull i gjatë vetingut dhe bëhet e qartë se pas rivlerësimit duhet të ketë ndjekje penale. “Institucionet e verifikimit duhet të bëjnë referime pranë prokurorive në rastet kur ka indicie për vepra penale. Deri më sot 23 dosje janë dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme, përfshirë 10 raste që përfshijnë ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykata Kushtetuese.
Nga 23 rastet, 21 hetime janë në vazhdim, një hetim është mbyllur dhe një ka përfunduar me dënim. Ndërkohë janë referuar 10 raste në prokuroritë e rretheve”, theksonte raporti në atë kohë. Pra gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting rrezikojnë të shkojnë për ndjekje penale, dhe u vendos si kusht nga BE hetimi i tyre, por deri më tani SPAK dhe prokuroritë e rretheve kanë proceduar shumë pak njerëz, hetimi ndaj të cilëve për “kokat” e mëdha të drejtësisë së mbetur në Vetting është pushuar, ndërsa pjesa më e madhe edhe pse janë kapur me fshehje pasurie vijojnë të shijojnë paratë. Por dhe t’i pastrojnë ato, pasi kanë përfituar “mandatin” e avokatisë, duke hedhur si “fitim” mijëra e mijëra euro.
Rekomandimet e BE janë të qarta: “Shqipëria të vazhdojë të forcojë luftën kundër korrupsionit; të sigurojë që SPAK, BKH dhe gjykata e posaçme të trajtojnë korrupsionin e nivelit të lartë; të sigurohet që të ketë procedime penale në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike ndaj gjyqtarët dhe prokurorëve që vetingu i ka gjetur me shkelje”.
Dhe këto janë kushte që i përsëriten Shqipërisë, ndaj Rama ishte i acaruar, teksa nënvizoi se në takimin e radhës kur të hapen bisedimet, në tryezë do shtrohet kërkesa se sa gjyqtarë e prokurorë që kanë mbetur në vetting janë hetuar dhe proceduar, duke paralajmëruar se mosrealizimi i këtij kushti do të ndikojë fort në bllokimin e bisedimeve. Nuk ta fal njeri, pasi dosjet e këtyre njerëzve të drejtësisë që kanë mbetur në vetting janë të kopsitura, mjafton të përshkojnë “stacionet” e drejtësisë për të marrë një gjykim sipas ligjit. Ata në krye të jerës s’justifikojnë paratë e fituara, me burimin e të ardhura dhe këtu përfundon “filmi”: Kanë ushtruar korrupsion.
Por çfarë ndodhi pas deklaratave të Ramës që kërkonte “zgjimin” e SPAK dhe marrjen në dorë të situatës së dhënies fund pandëshkueshmërisë në këtë vend, përmes dënimit të “peshkaqenëve” të korrupsionit, në politikë, drejtësi dhe në të gjithë elementët jetikë të vendit.
Pavarësisht se kreu i qeverisë Rama jo vetëm përmes deklaratave por dhe me qëndrimin e tij ka treguar se nuk merr në mbrojtje asnjë nga zyrtarët apo politikanët e partisë së tij të akuzuar për korrupsion, të parët që u hodhën kundër ishin pikërisht njerëzit që për 30 vite ia kanë “valuar” me korrupsion aq shumë sa ata dhe njerëzit e tyre mbajnë rrethe vetes sekretarë të shumtë thjeshtë dhe vetëm për të mbajtur mend se ku i kanë pronat dhe pasuritë e tyre. Vetë nuk kanë asnjë shans të dinë sa pasuri kanë, aq shumë kanë vënë pa bërë asnjë punë.
Reagoi Sali Berisha i shpallur “non grata” familjarisht nga SHBA për akuzat që përmendëm më sipër, bashkë me mbështetësit e tij, duke akuzuar Ramën se po bën presion mbi drejtësinë. Madje guxon dhe ndez dhe qiri dhe vë lule për një të ri fatkeq që i dha fund jetës në burgun e Kavajës, pikërisht para kryeministrisë, në vendin ku më 21 janar 2011, Garda e Republikës me urdhër të tij si kryeministër vrau pa paralajmërim 4 demonstrues të opozitës. “Thyen xhamat e kryeministrisë” do t’i përgjigjej Berisha një ditë më parë pyetjes së një gazetari. Dhe sikur të kishte ndodhur kështu, gjë që nuk është e vërtetë, a vriten 4 njerëz, merren 4 jetë njerëzore për 4 xhama që zëvendësohen, ndërsa jeta e këtyre demonstruesve nuk kthehet më.
Reagojnë dhe njerëzit e Ilir Metës, duke filluar nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, kryetare e deleguar e LSI e cila “zbulon” lajme nga “thellësia” e SPAK, teksa thotë se ishte një hetim i madh ndaj Dvoranit për ta arrestuar, të cilin e dekonspiroi Rama sipas saj dhe se drejtoret e bashkisë “flenë” para shtëpive apo zyrave të anëtarëve të SPAK.
Në të vërtetë Kryemadhi, me atë “sinqeritetin” e saj dhe tentativës për të treguar se zotëron informacion të hollësishëm për gjithçka zbuloi si pa dashje se nga i merr urdhërat SPAK apo çfarë bisedojnë “shokët e lagjes” në Gjirin e Lalzit, ku bëhet grafiku dhe ndahen detyrat se cili ministër, zv.ministër apo zyrtar do të goditët. Janë ankuar anëtarët e SPAK në Lalz te Monika?
Eshtë ironike që “peshkaqenët” e mëdhenj të korrupsionit të nisin SPAK-un për “gjah” dhe kapjen e “cironkave”, të atyre që pranuan një arkë peshk në këmbim punësimit, apo që bënë “kurban” ish ministrin Saimir Tahiri, të cilit pasi dështuan me përgjimin në paradhomën e zyrës së tij ministrore për shkak se flitej në media se kishte shumë vidio ndaj politikanëve të lartë në dorë, i përgatitën atë masakër ligjore, që askujt nuk ia urojmë që t’i ndodhë.
Harruam, reagoi dhe SPAK! Doli nga heshtja. “Çështja e padisë së presidentit ndaj Ardian Dvoranit është pushuar kohë më parë dhe është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit”, deklaron institucioni i SPAK i drejtuar nga Arben Kraja. Pra paska pasur hetim ndaj tij. Po pse?!
Një reagim aspak dinjitoz për një institucion të tillë, i cili është ngritur me investimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, i mbështetur fort me votat e mazhorancës aktuale, por i mbrojtur po nga kjo mazhorancë përballë sulmeve të kundërshtarëve të drejtësisë së re, përkatësisht Sali Berisha dhe Ilir Meta. Bashkë dhe me mbështetësit e tyre.
Pra SPAK na tregoi se vepron me kallzime. Ok. Dhe ne jemi dakord, megjithëse dhe këtu ka standard të dyfishtë: Për ish zv.ministren e Brendshme që u dënua për një arkë peshk nuk pati kallëzim, hetimi nisi me kryesisht. As për Tahirin. Por kanë qënë gjithnjë brenda ligjit, pasi ligji e lejon nisjen e hetimit dhe me iniciativën e vetë prokurorisë e SPAK, quhet hetim me kryesisht. Por SPAK kërkon të operojë me kallzime dhe ne po ia themi disa, megjithë vepron me dy standarde.
Ka një kallëzim, madje dopio kallzim për aferën CEZ-DIA, ku shteti shqiptar ka humbur 500 milionë euro thjeshtë dhe vetëm për shkak se Berisha dhe Meta janë të përzier në korrupsion. Ka kallzim nga ish jurisi i OSSH, tani OSHEE Romeo Kara, madje disa. Por ka dhe një kallzim nga kreu aktual i grupit parlamentar Taulant Balla, mbështetur dhe në një raport të Parlamentit shqiptar përmes komisionit hetimor, ku janë paraqitur dokumente, prova dhe fakte që vertetojnë përzierjen e familjes së Berishës dhe të Metës në këtë aferë marramendëse.
SPAK deri më tani nuk ka bërë asnjë hetim “rrufe” nuk e ka luajtur as “gishtin” për të thirrur Berishën, Metën, Shkelzenin apo Nuel Kalajn të dëshmojnë. Janë goxha para, dhe nuk krahasohen me arkën e peshkut që e hetuan në mënyrë të rrufeshme. SPAK mjaftohet vetëm duke thënë se “po hetohet”. Shprehja më oportuniste për të thënë se s’kanë ndërmend të bëjnë asgjë.
Vazhdojmë më tej. SPAK ka një kallzim, janë qindra të tilla për këtë çështje, në lidhje me hetimin e shpërthimit tragjik në Gërdec, ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm, u plagosen mbi 300 të tjerë, një masakër shtetërore që kishte në bazë pasurimin e djalit të ish kryeministrit. Deri më tani s’ka thirrur askënd për të dëshmuar, duke u mbajtur pas procedurave e zvarritjeve. Për fat të keq këtu ka humbur jetën dhe vëllai i Ardian Dvoranit, gjyqtarit të panjollë ndaj të cilit janë sulur Berisha dhe Meta, pasi njëri mendon se i ka gjakun borxh këtij gjyqtari ndaj ta godasë vetë i pari, ndërsa tjetri është i bindur se ta kishte në dorë, do ta dënonte me burg pas përgjimit të famshëm të të ndjerit ministër Dritan Prifti, ku Meta shfaqet me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro dhe punësime të paligjshme. SPAK heshti.
Përmendëm vetëm këto dosje të rënda që janë kallzuar në SPAK për të treguar se reagimi i këtij institucioni të drejtësisë së re “se vepron vetëm me kallzime dhe jo me deklarata”, ishte jo vetëm i pamatur por dhe i dirigjuar nga “shokët e lagjes”, duke e nxjerrë Prokurorinë Speciale si një institucion në hall, të cilin e kanë zënë hallet e “non gratave” dhe kandidatëve për këtë titull.
Në fund të herës, shqiptarët kanë nevojë për drejtësi dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë në këtë vend. Dhe rezultatin e kësaj drejtësie ata e shohin me vënien para drejtësisë të “non gratës” Sali Berisha dhe ortakut të tij në të njejtin hall Ilir Meta. Pa lënë pas dore asnjë zyrtar të lartë që ka shkelur ligjet e këtij vendi dhe ka abuzuar me paratë e shqiptarëve. Eshtë koha që SPAK të veprojë, në mënyrë që të mos quhet një “investim i shkuar dëm” sikurse është deri më tani. Që po pret me padurim shtyrjen dhe tre muaj të heshtjes, pasi do të marrë pushimet e verës drejtësia. Por paratë po pastrohen, korrupsioni vepron dhe në vapë dhe në acar.
Të paktën SPAK të na heqë nga kurrizi dhe ekrani ata që ia kanë bërë qindin këtij populli, duke e vrarë, vjedhur dhe sakatuar, dhe që tani po me paratë e vjedhura blejnë kohë televizive për të na bërë karshillëk ne shqiptarëve por dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA e BE.