Baftjar Bruka, personi që akuzohet se fshihet pas shpërthimit me tritol të farmacisë së babait të ministrit Saimir Tahiri, është ekstraduar nga Stokholmi i Suedisë.
Mësohet se për Brukën gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza për “Krijim të grupit të strukturuar kriminal” si dhe “Kryerje të veprave penale nga grupi kriminal”.
Baftjar Bruka, personi i shpallur në kërkim për dy atentatet e ndodhura në Tiranë në muajin shkurt, në farmacinë e të atit të Ministrit të Brendshëm, Tahiri, në apartamentin e një oficeri policie, si dhe për një tjetër atentat të dështuar në një stacion autobusi, u arrestua në 25 qershor të vitit të kaluar.
Shpërthimi me eksploziv, ku në qendër të sulmit ishte farmacia në pronësi të Bashkim Tahirit ndodhi më 10 shkurt të vitit të kaluar.
NJOFTIMI I POLICISE
Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Stockholmi/Suedi, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: Baftjar Bruka, lindur më 20.06.1991 në Kukës. Shtetasi Baftjar Bruka, është shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e vendimit nr.80, datë 25.02.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, i është dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg“, për veprat penale si: “Vepra për qëllime terroriste“, “Krijim të grupit të strukturuar kriminal“, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal“, parashikuar nga nenet 230, 333/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet dënimi maksimal “Burgim i përjetshëm“.
Shtetasi Baftjar Bruka dyshohet për vendosjen e bombave me komandim në distancë të vendosura më datën 10.02.2015 në Tiranë, kundër farmacisë në pronësi të shtetasit me inicialet B.T. si dhe pranë urës “Vasil Shanto“, tek stacioni i autobusit. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Stockholmin/Suedi, u bë i mundur arrestimi i tij në Suedi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
BW