Elisa Spiropali ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku është folur edhe për inceneratorët dhe arrestimin e disa zyrtarëve të mazhorancës.
Spiropali tha se i takon drejtësisë të flasë në këtë rast dhe se qeveria nuk ka ndërhyrë në punët e drejtësisë, siç ndodhte në të shkuarën. Spiropali deklaroi se SPAK duhet të hetojë Sali Berishën, pas shpalljes non-grata nga DASH, deklaratë të cilën e bëri fillimisht kryeministri Rama në Kongresin e PS.
Pjesë nga biseda në studio:
Ylli Rakipi: Eksponentë të mazhorancës po bien njëri pas tjetrit për shkak të aferës së inceneratorëve. Po vazhdoi kjo punë kështu, si do ta mbani këtë qeveri, se po shkon një pjesë e mirë në burg?
Elisa Spiropali: Për kë e keni fjalën?
Ylli Rakipi: Lefter Koka, ish ministri juaj. Alqi Bllako, ish deputet. Ka zëra që do të bien edhe të tjerë.
Elisa Spiropali: Zërat që vijnë nga përtej nuk i dëgjoj dot. Do e nis nga parimi. Është kjo shumicë, që i ka kthyer drejtësinë, një pushtet kushtetuee, publikut shqiptar. Drejtësia ishte e maliqit, pronë e një grushti politikanësh. Nëse PS dhe Edi Rama nuk do të qeverisnin, as deputetë as ministra, nuk do të ishin para drejtësisë.
Ylli Rakipi: Unë nuk po pyes si keni bërë ju drejtësinë, por si keni bërë ju inceneratotët?
Elisa Spiropali: Kishim komision hetimor dhe zyrtarët deri te kryeministri, u përgjigjën, në mënyrën më transparente. Çështja e inceneratorëve ishte në SPAK.
Ylli Rakipi: Si i konsideroni ju inceneratorët, histori suksesi apo gabim i Ramës?
Elisa Spiropali: Një domosdoshmëri, në një vend ku mbetjet kishin zënë rrugët. Ata raportin me pastërtinë nuk e kishin. A ka në këtë punë të pastër, individë që mund të jenë bërë pis? Këtë nuk e di sepse unë nuk jam prokurore.
Ylli Rakipi: Për drejtësinë po, por politikisht ju jeni përgjegjës.
Elisa Spiropali: Ne ja kemi dhënë drejtësisë atë që i takon në çdo vend normal. Ne kemi disa prioritete. Pastaj, se cili funksionar apo biznesmen, fut duart e tij, në këtë buxhet, këtë e përcakton dikush tjetër. Ne kemi bërë aktin për t’ja lënë njerëzve. Nuk jemi nga ata që i bëjmë letra SPAK-ut. Ama, ne nuk mund të pranojmë që edhe letra e një zyrtari periferik i një partie politike, të iniciojë hetime dhe pastaj akti zyrtar më serioz i DASH, me shkrim dhe me gojë, nuk merr njeri guximin apo mundimin në institucionet e drejtësisë të nisë hetimi. Ne kërkojmë që për të gjithë të jetë njësoj.