Nga Momir Bullatoviç*
“Presidenti i atëhershëm shqiptar të jepte përshtypjen e një zotërie të vërtetë. Me profesion kardiokirurg, i shkolluar në Paris, në kohën e një izolimi të plotë të vendit të tij (e paraqiste veten si viktimë e regjimit të mëparshëm, megjithëse rruga e tij jetësore nuk e vërtetonte këtë), ishte i pashëm dhe i veshur në mënyrë shembullore, ai fliste në mënyrë të shkëlqyeshme gjuhën franceze, të cilën e zgjodhëm për komunikim.”
Përballë Berishës
Në sallë kishte ministra, këshilltarë, përkthyes, por në fakt, ishim vetëm ne të dy. Objektivisht ishte fjala për një takim të rëndësishëm. I pari, që pas shumë viteve të injorimit ndërshtetëror, bile dhe armiqësive, takimi mund të kishte konsekuenca të jashtëzakonshme. Besoj se për këtë, Ne të dy ishim të ndërgjegjshëm. Megjithatë, pata përshtypjen se prapa shikimit të tij depërtues fshihej padurimi për të marrë vesh arsyet e vërteta të vizitës sime. Pas frazave të zakonshme protokollare mbi rëndësinë e takimit (që e pranuam në mënyrë të dyanshme), ai e ndjeu veten të obliguar të përmendte Kosovën dhe të shprehte “shqetësimin e thellë” për situatat, të cilat, të jemi të sinqertë, që atëhere duhet të më shqetësonin edhe mua, ndërsa atë ta bënin të kënaqur.
Ky ishte momenti, që biseda jonë të kthehej në drejtimin që dëshiroja unë.
E luta që ta kapërcenim atë temë: “Jam këtu si përfaqësues i lartë i vendit tim. Kam ardhur pas pesëdhjetë vjetësh dhe jam mirënjohës, që ai më krijoi këtë mundësi. Jam këtu të bisedojmë mbi çështjet – vazhdova unë, – rreth të cilave besoj se mund të biem dakord”. Midis tyre, sidoqoftë, nuk është çështja e Kosovës dhe Metohisë. Përsa i takon situatës në këtë krahinë serbe, takimi ynë nuk do të kishte ndodhur as për disa shekuj në vazhdim.
Por në qoftë se jo gjithçka, të paktën mund të arrinim diçka. I tregova se gjyshja ime gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte mjekuar për disa muaj një partizan të plagosur shqiptar. Kur e kam pyetur se si janë marrë vesh, sepse ajo nuk dinte shqip, ajo më kishte parë me çudi dhe më kishte thënë: “Si të mos merremi vesh kur jemi njerëz?”. E kapi nënkuptimin. Kërkova që të mundohemi dhe të gjejmë atë që na bashkon, me gjithë atë humnerë që na ndan. Ma ktheu me një tregim të bukur mbi gjyshin e vet, i cili diku në grykën e Rugovës, rrinte përpara shtëpisë buzë rrugës dhe i priste udhëtarët mysafirë – shqiptarë dhe serbë – me gëzim të njëllojtë, dhe me trishtimin e tij kur lufta e shkretoi këtë krahinë dhe ai priste më kot, që të bisedonte përsëri me dikë në mënyrë njerëzore.
Domethënë, nuk ishim dhe aq të largët!!
Biseda, që i hapi rrugë…karburantit
U krijuan kushtet të kalonim në punë. Unë kisha nevojë për naftën, dhe jo vetëm për kujtime të bukura të përbashkëta. Zyrtarisht kjo ishte formuluar në mënyrën si vijon: I parashtrova që të hiqet “perdja e hekurt”, e cila gjatë gjithë kohës mbulon tërë kufirin tonë. Duhej të zhvillohet bashkëpunimi ndërkufitar dhe t’i jepej mundësia njerëzve, që të takohen dhe të vizitojnë njëri – tjetrin. I kujtova që ka farefise të afërta, që nuk ishin parë për mbi gjysmë shekulli. Që të shkonte çdo gjë më thjeshtë, ishte e nevojshme që si njëra anë, ashtu dhe ana tjetër – të mbyllnin sytë gjatë zbatimit të rreptë të rregullave dhe që në tregtinë ndërkufitare të përfshihen edhe ato gjëra, që zakonisht nuk janë të përfshira. Atëherë përmenda dhe naftën, d.m.th. derivatet aq të nevojshme për ne. “Zoti President, a kërkoni Ju që Shqipëria të shkeli sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj vendit tuaj?” më pyeti ai. Duke qenë se bisedat regjistrohen (dhe sigurisht dhe janë përgjuar), kjo nënkuptohet, sepse hynte në korrektësinë diplomatike bazë.
“Zoti na ruajtë,- u përgjigja i gatshëm. Vetëm propozoj që t’i respektoni në mënyrë të ngjashme, siç vepron p.sh. ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nëqoftëse do të pranohet kjo që kërkoj unë, çdo qytetar i pjesës veriore të Shqipërisë mund të siguronte një fitim të mirë. Nuk është e vështirë që ta llogarisësh atë, nëqoftëse nisesh nga supozimi që është minimumi një pfening për litër”. E përsëris, këtë do ta bënin qytetarët dhe jo shteti, kështu që sanksionet formalisht do të respektoheshin…. Nuk ishte nevoja të vazhdoja. Ishte më mirë që disa argumente të mos përmendeshin. Gjendja e atëhershme ekonomike në Shqipëri, nga pikëpamja jonë, ishte krejtësisht shqiptare. Pjesa qendrore e shtetit, mbështetja e pushtetit të presidentit Berisha, jetonte në sajë të ndihmës humanitare dhe donacioneve të varfra. Pjesa jugore u mbështet tek Greqia, ku shumë persona punonin në mënyrë legale ose në të zezë. Rajoni verior shkodran, nuk kishte perspektivën tjetër, përveç, në bazë të propozimit tim, t’i kushtohej tregtisë së naftës me Liqenin e Shkodrës. Sidoqoftë, unë e dija që ai e di që unë këtë e di.
Dhe, kjo ishte gjithçka! Thellë në vete isha i sigurt, që ai do ta pranonte ofertën. E dija që një fuqi e huaj, para së gjithash Amerika nuk do ta ndalonte të vepronte kështu. Sepse, megjithëse dukej paradoksale, shkelja në mënyrë të tillë e sanksioneve ishte pikërisht në frymën e tyre. Qëllimi i kreatorëve të tyre nuk ishte që në të mbeteshim me çdo kusht pa pikë nafte, por vetëm ta paguanim shtrenjtë dhe ta gjenim atë në mënyrë të mundimshme.
Përveç kësaj, sasia më e madhe e parave do të kalonte nga Jugosllavia në Shqipëri. Këtu gjente shprehjen e vet pragmatizmi i njohur amerikan. Përse të harxhonin paratë e veta duke ndihmuar Shqipërinë, kur mund të krijonin kushtet që në vend të tyre të punonte dikush tjetër? Prandaj Amerika, e cila sheh dhe di çdo gjë që ndodh në botë, nuk tentoi kurrë ta pengonte në mënyrë serioze “naftësjellësin”, i cili u nis me të vërtetë së shpejti nëpërmjet Liqenit të Shkodrës.
Rikthimi në Mal të Zi
Atëherë, sërish u kthyem në Mal të Zi. Pasi kishte rënë nata, shtëpitë pranë të cilave kalonim, tregonin shkëlqimin e njëmendtë të varfërisë virgjërore. Prej kohësh kisha harruar sesi dukeshin tamam rreshtat e dritareve pa perde, prapa te cilave shiheshin llambat elektrike të zhveshura, ndriçimin e të cilave mezi e thithnin mobiliet e pakta, fotografitë, si dhe vogëlsirat e panumërta, të cilat prej kohësh na ishin futur në jetën e përditshme.
Nga kufiri shtetëror deri në Podgoricë, kryesisht jetojnë shqiptarët e Malit të Zi. Por, shtëpitë e tyre, të japin përshtypjen e begatisë dhe fuqisë ekonomike. Thjesht të bënte përshtypje fakti, se në kuptimin e zhvillimit ekonomik dhe tërësor, ato ishin përpara të paktën njëqind vjet në krahasim me shtetin amë të tyre. Mu kujtuan të gjitha ato ankesa që udhëheqësit e tyre politikë, i paraqisnin në atë kohë dhe nuk munda ta përmbaja në vetvete një psherëtimë. Por, ky është një rrëfim krejt tjetër.
Organizimi i trafikut të naftës
Pala shqiptare e pranoi propozimin tonë. Që tregtia në përgjithësi të ishte e mundur, nuk ishte e mjaftueshme që organet e tyre shtetërore të lejojnë tregtinë e vogël nëpërmjet liqenit (që të mbyllnin sytë), por duhej të krijonin mundësitë. – E para, kjo do të thoshte importimi në Shqipëri i sasive shumë më të mëdha të derivateve në krahasim me të zakonshmen, dhe e dyta – shitja e tyre në pjesën veriore të vendit, nëpërmjet shpërndarësve lokalë të vegjël, dhe me kohë të dealer-ave (shpërndarësve) më të mëdhenj.
Nga ana jonë hapeshin shumë probleme të veçanta. Duhet të vendosej organizimi i shërbimeve shtetërore, që do të mundësonin marrjen e sasive të pritura të derivateve, por të mos lejohej edhe një lloj kaosi ekonomik. Ishte e qartë se benzina nuk ishte kruajtëse dhëmbësh, që të fshihej dhe të transportohej në xhep. Modeli, të cilin e kemi përcaktuar, meritonte të ishte i skicuar. Të paktën nga dy arsye. E para, sepse besoj që ishte i suksesshëm dhe na vinte në detyrim që të mbahej mend. E dyta, që është më e rëndësishmja, se ai ishte i ndryshëm nga modeli i kontrabandës së cigareve nëpërmjet Malit të Zi (për këtë do flas më vonë), i cili përcaktoi në mënyrë vendimtare fatin politik dhe çdo fat tjetër të Malit të Zi- në vitet e mëvonshme deri në ditët e sotshme.
Nëpërmjet Liqenit të Shkodrës (dhe në rrugët tokësore përreth), mjetet lundruese dhe të transportit tokësor kalonin pranë njësive ushtarake kufitare dhe policisë, pa u ndaluar dhe kontrolluar. Shkarkimi bëhej nga lokacionet e përcaktuara më parë, numri i të cilave duhej të ishte sa më i madh. Në një moment, ato do numëroheshin më shumë se tridhjetë. Me gjithë këto punë, merreshin privatë, që kishin krijuar lidhje me anën tjetër të kufirit. Faktikisht, ata ishin importuesit e naftës dhe organet shtetërore nga pikëpamja e ligjshmërisë së brendshme kështu i trajtonin. Kjo do të thotë që në vend të një “Jugopetrol”-i, patëm qindra e mijëra petrole të vogla. Karakteristika kryesore e një mënyre të tillë pune ishte mungesa e monopolit të dikujt mbi to.
Çdonjëri mund të importonte derivatet e naftës dhe çdonjeri ishte i detyruar të kalonte të njëjtën procedurë të parashikuar nga ana e shtetit. Ajo karakterizohet me kontrollin e detyrueshëm në pikat e daljes së saj nga territori. Sasitë detyrimisht duhej të deklaroheshin dhe mbi këto duhet të paguhej taksa e parashikuar. Të tilla letra “të rregullta”, ishin kusht për lëvizjen e lirë nëpër territorin e Jugosllavisë. Kush nuk i posedonte ato, mbetej dhe pa ngarkesa, edhe pa mjetet e transportit, që konfiskoheshin duke u mbështetur në dispozitat e ligjit mbi doganat. Prandaj, shumica e tyre respektonte rregullat strikte të lojës, të cilat sipas dijeve tona, zbatoheshin pa kompromis, pasi asnjëri nuk dëshironte të rrezikonte një humbje të madhe në favor të një fitimi ekstra të vogël.
Përveç popullsisë lokale buzë liqenit (krahina e Zetës dhe Malësisë), në këtë punë u përfshinë shumë persona të aftë dhe të mençur. Nuk ishin të rralla rastet e ortakërive mes nacionalistëve të regjur shqiptarë dhe serbëve ultraradikalë. Mundësia e fitimit të mirë i topiti urrejtjet midis tyre. Bile dhe shpërndarja e pikave për pranimin dhe magazinimin e derivateve duhet të shtonte strukturën nacionale të popullsisë së atjeshme. Shumë individë me këtë aktivitet fituan shuma parash, të cilat as nuk i kishin ëndërruar kurrë. Por, po të mos ishte kjo, nuk do të ishte nafta aq e nevojshme as në Mal të Zi, as në Serbi, ose në Bosnje e Hercegovinë.
Taksa për të cilëm folëm, i paguhej ndërmarrjes private, e cila lëshonte letrat e nevojshme shoqëruese. Taksa ishte 0.7 DEM për një litër. Kjo do të thoshte që për një çisternë të zakonshme duhej t’i paguaje shtetit gati 25.000 marka gjermane. Çdo ditë sasia e krijuar e parave lante borxhet dhe depozitohej në Thesarin e Republikës. Kjo ndërmarrje, për shkak të sasisë së madhe të pagesave, ndryshonte emërtimin për çdo muaj (jo rrallë kam qenë “kumbar” i emrave, që më kujtonin leksionet e dikurshme nga gjuha latine). Ishte fjala për një formë të pastër, sepse rezidenca dhe të punësuarit mbeteshin po ato. Në të punonin zyrtarë, persona nga policia financiare dhe sigurimi i shtetit, por edhe nga organet sekrete të sigurimit, nënpunësa të doganave, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera shtetërore. Për punën e vet ishin shpërblyer në mënyrë suplementare (jo të tepërt, por të rëndësishme) dhe zëvendësoheshin në distancë kohe jo të rregullta (që mos të kishin kohë të njiheshin me njëri – tjetrin dhe të bëheshin ortakë). Të gjitha pagesat ishin në monedhë të huaj cash dhe derdheshin në buxhetin e shtetit. Këto të ardhura ishin veçanërisht të rëndësishme në periudhën e hiperinflacionit, kur pagat reale nuk e arrinin vlerën e vetëm të disa markave gjermane”…
*Teksti është marrë nga libri me kujtime i Momir Bulatoviç “Pravila Æutanje”, ish-kryeministër i Malit të Zi në vitin 1993.