Rusia synon të marrë kontrollin e plotë të Ukrainës jugore si dhe rajonin lindor të Donbasit, thotë një komandant i lartë rus.
Gjeneralmajor Rustam Minnekayev u citua në mediat shtetërore ruse të thoshte se përmbushja e qëllimit do t’i lejonte Moskës të formonte një urë tokësore për në Krime, të cilën e aneksoi në 2014.
Gjithashtu kjo do t’i jepte Moskës akses në rajonin separatist të Transnistrisë në Moldavi, të mbështetur nga Rusia, shkruan BBC.
Transnistria është një rajon i vogël që kufizohet në perëndim me Ukrainën. Është e paqartë nëse komentet e gjeneralit Minnekayev u shpërndanë zyrtarisht nga Kremlini, por ato u cituan gjerësisht në mediat shtetërore ruse, duke përfshirë agjencitë e lajmeve Interfax dhe Tass.
Zyrtarët rusë të mbrojtjes i thanë Steve Rosenberg të BBC-së se po i “shikonin” komentet e gjeneralit, të cilat – nëse konfirmohen – ofrojnë pasqyrën e parë mbi planet e mundshme të Rusisë në javët e ardhshme.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i BE-së i tha Reuters se Rusia ka shumë gjasa të intensifikojë sulmet e saj në Ukrainën lindore dhe përgjatë bregdetit jugor në ditët në vijim, duke shtuar se dy javët e ardhshme mund të jenë vendimtare për luftën.
Moldavia ka thirrur ambasadorin e Moskës lidhur me komentet e gjeneralit, të cilat ministria e saj e jashtme i përshkroi si “thellësisht shqetësuese”.
Një rajon i vogël separatist rusisht-folës, Transnistria kufizohet me Ukrainën nga perëndimi. Rajoni pretendoi pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në një konflikt të përgjakshëm, por nuk njihet ndërkombëtarisht dhe zyrtarisht mbetet pjesë e Moldavisë.
Rreth 1500 trupa ruse janë vendosur në rajon që nga viti 1995 si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi.
Gjenerali Minnekayev, i cili është zëvendës komandant i qarkut ushtarak qendror të Rusisë, po fliste në një event ushtarak në rajonin e Sverdlovsk të premten.
“Kontrolli mbi jugun e Ukrainës është një tjetër rrugëdalje për në Transnistria, ku ka edhe fakte të shtypjes së popullatës rusishtfolëse,” tha gjenerali Minnekayev.
Putin bëri pretendime të ngjashme, pa dhënë prova, në lidhje me diskriminimin e supozuar ndaj rusishtfolësve në Ukrainë përpara se të fillonte pushtimin më 24 shkurt.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës denoncoi komentet e gjeneralit Minnekayev si “imperializëm rus”.
/b.h