Në Greqi, një 28-vjeçare greke e komunitetit rom, thotë se është rrëmbyer dhe shfrytëzuar seksualisht nga një 28-vjeçar shqiptar.
Sipas mediave greke, ngjarja e pretenduat ka ndodhur kur 28-vjeçari shqiptar, sipas kallëzimit, i është afruar të resë përmes Facebook dhe i ka ofruar të punonte si kamariere në një bar.
Vajza e pranoi propozimin dhe kështu nisi njohja e tyre. Shqiptari u takua me vajzën dhe si fillim i tha se kishte ndërmend ta ndihmonte për të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhej.
Më pas, duke përfituar nga pozita e saj e pambrojtur, e çoi në një apartament në Athinë ku qëndronte në mënyrë klandestine dhe që andej e detyroi me forcë që të punonte në një bordello, duke i mbajtur të gjitha të ardhurat, thuhet në dosjen hetimore që bazohet tek denoncimi i të resë rome.
E reja tha se ka pësuar shumë plagë në trup të shkaktuara nga goditje të forta me zinxhirë.
Në lidhje me këtë rast janë arrestuar dhe akuzuar edhe dy persona të tjerë, një 40-vjeçar dhe një 61-vjeçar. Ky i fundit është personi që i kishte dhënë banesën në të cilën ishte mbajtur vajza.
Ndërsa 40-vjeçari është punonjës në një lokal ku punonte vajza, por mohon se e dinte saktësisht se çfarë po ndodhte.
Policia tha se 28-vjeçari shqiptar i arrestuar është i dyshuar të ketë qenë i përfshirë në krime të mëparshme, por asgjë e provuar. Ai ishte hetuar në 2020 pasi në Pire u qëllua një person, por nuk pati prova autorësie.
/a.r