Nuk mjafton të paguash çdo muaj, por duhet të shohësh edhe reklama nëse do të kesh shërbimin e Netflix.
Pasi korri miliarda euro fitime në vitet e saj të arta të pandemisë 2020-2021, tani Netflix po shënon rënie drastike dhe ka ndryshuar strategji.
Para disa muajsh hoqi opsionin e muajit të provës, ndërsa tani ka vendosur të fusë reklama para dhe përgjatë filmave, serialeve dhe show që transmeton në videotekën e saj.
Ndihmës CEO Reed Hastings tha se do të alternohen pagesa më të ulëta mujore me reklama të detyrueshme. Aktualisht në SHBA shërbimi mujor kushton duke nisur nga 12 usd deri në 21 usd. Kurse në Shqipëri nga 8 deri në 14 euro.
Hastings pohoi se ka qenë prej kohësh kundër futjes së reklamave ose promovimeve të tjera në platformë.
Kompania njoftoi se po ashtu ka marrë një tjetër vendim. Nëse me abonimin mujor deri tani abonenti mund të përdorë deri në katër pajisje njëherësh dhe të ndajë fjalëkalimin dhe me persona të tjerë për të ulur kostot, tani kjo gjë do të ndalohet.
Si fillim, platforma Netflix thotë se do të procedojë me reduktimin e ndarjes së fjalëkalimeve për të vijuar me individualizim të plotë të shërbimit për abonent.
Platforma Netflix është e disponueshme dhe në Shqipëri. Ndryshe nga Prime Video e Amazon e cila ka një numër programesh me përkthim shqip, audio dhe/ose titra, Netflix nuk ka asnjë program të titruar në shqip edhe pse abonentët shqiptarë janë të shumtë kudo.
Për më tepër, shumë programe nuk shfaqen në Shqipëri pasi e drejta e transmetimit është e kufizuar në SHBA Angli dhe BE.
/a.r