Volodymyr Shukrov, ambasadori i Ukrainës në vend, ka shprehur mirënjohjen ndaj Shqipërisë.
Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ai ka folur po ashtu për refugjatët ukrainas që kanë ardhur në vend dhe ndihmat humanitare nga Tirana për Kievin.
Sipas tij, që nga fillimi i agresionit rus, është rritur numri i ukrainasve që kanë ikur nga lufta.
“Tani po operojmë me 816 refugjatë nga Ukraina që kanë kaluar kufirin dhe janë këtu. Dëshiroj të theksoj që 214 ukrainas kërkuan ndihmë në ambasadën tonë, 124 të rritur dhe 91 fëmijë dhe morën mbështetje”, ka treguar ambasadori.
Dhe se janë mbajtur kontakte të mira me ministritë përkatëse, policinë dhe organizatat e refugjatëve.
Ambasadori Shukrov ka zbuluar se deri tani nuk ka refugjatë, por ukrainas me statusin e mbrojtjes së përkohshme.
“Kam vizituar një grup fëmijësh ukrainas me nënat e tyre, që është në Durrës dhe mbërriti në Shqipëri në 23 mars. Ka edhe një grup tjetër nga Ukraina që erdhi më 30 mars”.
Për të, situata paraqitet normale pasi pala shqiptare i pranon qytetarët ukrainas me solidaritet dhe dëshirë për t’i ndihmuar.
Kurse për fëmijët ukrainas në Shqipëri, ai ka treguar se kanë mundësi të vazhdojnë procesin e arsimimit të tyre sipas sistemit ukrainas.
“Mësimi bëhet online dhe ambasada jonë i kushton vëmendje të veçantë. Kemi bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, kemi kontakte të mira dhe fëmijët tanë kanë mundësi të vazhdojnë mësimet në shkollat shqiptare dhe të shkojnë gjithashtu në kopsht”.
Po ashtu ambasadori ka shprehur mirënjohjen ndaj parlamentit për rezolutën e 7 marsit në mbështetje të Ukrainës dhe luftës së saj kundër agresorit rus.
Si dhe për aktivitetet e zhvilluara nga Bashkia e Tiranës.
Nga ana tjetër, ai nuk ka anashkaluar se NATO-ja dhe vendet anëtare të saj po e ndihmojnë Ukrainën.
“NATO dhe blloku perëndimor janë tani partnerët tanë në këtë kohë të vështirë të agresionit rus”, ka theksuar ai.