Ishte ora 20:50 e mbrëmjes së 26 marsit 2022. Ndërsa e gjithë Tirana kishte ndalur frymën me sytë nga ekrani, aty ku ndërkohë po luhej ndeshja miqësore Spanjë-Shqipëri, një ngjarje tjetër me përmasa të frikshme raportohej se po zhvillohej vetëm pak minuta larg kryeqytetit.
Një zjarr në komisariatin nr. 5 në Kamëz, që shpejt do të zbulonte jo vetëm përmasat tragjike të asaj çfarë dukej në pamje të parë, por edhe të kushteve skandaloze në dhomat e izolimit të këtij komisariati.
Ku ndërsa policët me gjasë kishin ulur ndjeshëm vigjilencën, duke u përqendruar edhe te ndeshja, ky moment shpërqendrimi u bë shkak për ngjarjen e rëndë.
Në dhomat e izolimit në katin nëntokë të godinës, ndodheshin 4 persona. Dy të arrestuar dy të ndaluar.
Arben Mici, 28 vjeç, i arrestuar për dhunë në familje, ishte njëri prej tyre.
Ai ishte shoqëruar 22 herë në komisariat gjatë 2 muajve të fundit, pasi nëna e tij sinjalizonte policinë, por më pas tërhiqej duke mos bërë denoncim.
Herën e fundit, nëna e Arbenit bëri denoncim ndaj të birit. Ajo u pajis me urdhër mbrojtjeje, ndërsa 28-vjeçari përfundoi në pranga.
Pak orë, përpara se ai t’i vinte zjarrin dhomës së izolimit, Arben Mici ishte njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata e Tiranës.
Arsyet se përse nuk u transferua në ambientet e njërit prej paraburgimeve në vend, mbeten të sqarohen nga hetimi, por mbrëmjen e 26 marsit ai do ta kalonte në qelitë e izolimit në komisariat, brenda të cilave për fat të keq do të humbte jetën.
Një tjetër i arrestuar ishte dhe Dilaver Idrizi, 60 vjeç. Ai mbahej nën arrest me dyshimet se kishte dhunuar e më pas hedhur nga ballkoni i banesës ku jetonin, bashkëjetuesen e tij.
Por çfarë ndodhi atë mbrëmje, kush vuri flakën komisariatit? Si rrodhën ngjarjet në orët në vijim? Në çfarë kushtesh mbaheshin të arrestuarit dhe të shoqëruarit?
A ishin kryer si duhet procedurat për kontrollin personal?
Nga hetimet rezultoi se Arben Mici, i kërkoi një çakmak policëve të turnit në komisariat me qëllim për të ndezur një cigare.
Ndonëse ishte tërësisht e ndaluar që një i arrestuar të konsumonte cigare në korridor, duket se ky fakt u anashkalua.
Sipas ligjit, të arrestuarve iu sekuestrohen të gjitha sendet, ju hiqen edhe lidhëset e këpucëve apo rripi i pantallonave, pasi mund të përdoren prej tyre për të ndërmarrë akte ekstreme. Por në rastin e Micit nuk ndodhi kështu. Atij iu lejua çakmaku.
Pasi piu cigare ai hyri në qeli dhe i vuri flakën dyshekut. Shpejt tymi do të mbulonte çdo ambient. Orët në vazhdim ishin traumatike për të gjithë.
Arben Mici do të gjendej në grahmat e fundit të jetës në tualet. Ai ndërroi jetë më vonë në spital.
I pari që u pyet në lidhje me ngjarjen ishte efektivi i policisë, Fatmir Isufi. Ai që ndërkohë po ndante turnin me kolegun e tij, Hajredin Boja, që mbeti i lënduar rëndë nga zjarri i papritur në komisariat.
Fatmir Isufi
Trupë shërbimi Ndalim/ Paraburgimi
“Më datë 26.03.2022 kam qenë i planizuar me shërbim turn i dytë nga ora 14:00 deri në orën 22.00.
Rreth orës 19:10 është shoqëruar Ilir Topalli për një konflikt.
E kam sistemuar në një nga dhomat e shoqërimit. I kam bërë kontroll paraprak fizikisht nëse kishte sende të rrezikshme dhe i kam hequr telefonin. Nuk kishte sende të tjera si cigare, çakmakë apo sende ndezëse. Rreth orës 20:10 është shoqëruar një tjetër person që quhej Artur Hoti. E kam sistemuar në të njëjtën dhomë ku kisha sistemuar më parë Ilir Topallin. I kam bërë kontroll fizik dhe i kam hequr telefonin”.
Por ndërsa këmbëngul se kishte zbatuar procedurat për dy të shoqëruarit, Isufi ndalet gjatë te mënyra sesi rodhën ngjarjet në orët në vijim….
“Në orën 20:50 kam qenë ulur në karrige në vendshërbimin tim dhe pashë se përballë meje nga dera metalike e dhomës ku ndodhej një i arrestuar me emrin Arben Mici po dilte tym dhe po përhapej shumë shpejt. Në këtë kohë unë kam reaguar menjëherë dhe kam ndihmuar Hajredinin për të hapur derën e hekurit pasi çelësat i kishte ai.
Pasi hapëm derën kemi hyrë në korridorin e dhomave dhe jemi futur fillimisht në dhomën nga ku dilte tymi ishte Arben Mici, por nuk pamë dot asgjë pasi kishte shumë zjarr dhe tym”.
Bazuar në raportin e mëvonshëm të Forcave të Ndërhyrjes Zjarrfikës, rezulton se Arben Mici i vendosi zjarrin dyshekut pasi tymi që ndërkohë kishte mbuluar ambientet e tyre të izolimit, të cilat ndodheshin në bodrumin e pa ajrosur të komisariatit, rezultoi më i shpejtë se policët të cilët e ndjenë të fundit asfiksinë që po vinte nga qelitë.
Fatmir Isufi
“Në këtë kohë na ka ardhur përballë Dilaver Idrizi që ishte tek dhoma tjetër. Kam marrë Dilaverin që ishte me masë sigurie dhe nxora dhe dy të shoqëruarit që kisha në dhoma. Të tre i kam çuar te zyra e Specialistit të
Informacionit dhe i sigurova aty. Kolegu Hajredin Boja erdhi deri sipër tek shkallët dhe më pas zbriti sërish dhe u fut në dhomat e të ndaluarve për të kërkuar Arben Micin, por nuk e gjetëm dot në dhomën e tij. Më pas nuk kam parë më çfarë është bërë me të.
E kanë nxjerrë kolegët e tjerë pas 7-8 minutash të asfiksuar dhe e kemi dërguar menjëherë në spital. Më pas kam mësuar se kishte humbur jetën”.
Kjo përllogaritje e gabuar, siç u mësua edhe më pas i kushtoi jetën Arben Micit, ndërkohë që Dilaver Idrizi, përfundoi në spital me probleme të rënda shëndetësore.
Sipas dinamikës së ndërtuar të ngjarjes, një nga personat e parë që vrapoi drejt vatrës së krijuar të zjarrit ishte edhe Lutfi Muça, me detyrë ndihmës specialist dhe përgjegjës në dhomat e sigurisë në komisariatin e policisë nr.5 në Kamëz, icili shpjegoi përpara grupit hetues se personave të ndaluar në komisariate nuk u lejohet asnjë send që mund të rrezikojë sigurinë e tyre apo të personelit.
Madje edhe ushqimi u dërgohet i kontrolluar rreptësisht.
Por nuk dha shpjegime se si u gjend çakmaku në duart e dy të ndaluarve.
Lutfi Muça, Përgjegjës në dhomat e sigurisë
“Detyra ime është të marr dokumentacionin e personave të arrestuar, ta kontrolloj në prezencë të një punonjësi policie dhe ta akomodoj në dhomat e sigurisë.
Gjatë kohës që jam në punë qëndroj tek Zyra e Oficerit të Rojës (Informacioni) dhe herë pas here zbres tek dhomat e sigurisë për të kontrolluar punonjësit e policisë si dhe personat e ndaluar dhe të shoqëruar.
Më datë 26.03.2022 kam qenë pushim dhe nuk kam dijeni mbi atë çfarë ka ndodhur në ambientet e Komisariatit deri në orën 21:00 kur jam njoftuar nga Shefi i Rendit, i cili më tregoi se kishte rënë zjarr.
Personave të ndaluar nuk iu lejohet në mënyrë kategorike asnjë send me vete, edhe ushqimi iu dërgohet i kontrolluar.Pasi jam njoftuar në telefon nga eprori im jam nisur menjëherë drejt komisariatit ku kam mbërritur rreth orës 21:30”.
Ai shpjegon se u nis me urgjencë drejt komisariatit, por siç tregon nuk mundi të shikoje asnjë detaj nga vendi i ngjarjes….
Lutfi Muça
“Kam tentuar të futem, por për shkak të tymit dhe errësirës ishte e pamundur të shikoje detaje në vendin e ngjarjes. Nuk kam asnjë mendim se si mund të ketë ndodhur kjo ngjarje, por kam dyshime se mund të ketë ndodhur një shkëndijë elektrike”.
Por ajo që hedh dritë mbi arsyet e zjarrit, është raporti i Shërbimit nga Zjarri dhe Shpëtimi që përjashtoi shkakun e një zjarri si pasojë e një shkëndije elektrike në qeli.
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi
“Nga raporti i ndërhyrjes nr.374, datë 27.03.2022, përpiluar nga eksperti i MZSH, Kamëz rezulton se pas marrjes së njoftimit dhe pas ndërhyrjes së tyre është konstatuar se në njërën nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit Policisë nr.5 Kamëz kishte rënë zjarr, ku vatra e zjarrit ndodhej në dhomën e parë djathtas, në hyrjen e korridorit, në dyshemenë e së cilës po digjeshin dyshek sfungjeri dhe batanije, ndërsa në pjesën tjetër të këtij ambienti nuk vëreheshin vatra të tjera zjarri, por kishte prani të theksuar tymi dhe bloze.
Brenda këtij ambienti kishte edhe tre dhoma të tjera të mbyllura, por nga informacionet e punonjësve të policisë këto dhoma kishin kohë të mbyllura dhe brenda nuk kishte persona.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes vërehet se te dhoma e izolimit ku ka filluar zjarri, ndodhet një krevat mbi të cilin vërehen mbetje sfungjeri dhe të batanijeve të djegura nga zjarri si dhe në anën e djathtë përballë krevatit dallohen grumbull materiali prej sfungjeri, rrobash të djegura.
Fakti i cili na bën të mendojmë se zjarri ka filluar në dysheme, tek grumbulli i sfungjerit dhe batanijeve.
Nga kronologjia e ngjarjes, mendohet se shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm, pasi në atë ambient nuk ka pasur burim energjie, nga i cili mund të shkaktohet zjarri, çka do të thotë se në këto ambiente është përdorur lëndë ndezëse”.
Sipas raportit të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, i fundit që u gjet në dhomat ende të pushtuara nga tymi, ishte i ndaluari, Arben Mici.
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi
“Pas ndërhyrjes dhe shuarjes së zjarrit konstatuam se në fund të korridorit ndodhej një derë duralumini e mbyllur, të cilën pasi e kemi hapur me forcë, brenda tualetit kemi vërejtur një person të shtrirë në dysheme, të cilin e kemi nxjerrë nga ambientet e komisariatit duke e transportuar te ambulanca”.
I shokuar nga ajo çfarë kishte dëgjuar në telefon nga kolegu i tij, drejt vatrës së zjarrit vrapoi edhe oficeri i policisë Mark Marashi të cilit iu desh të përballej jo vetëm me kolegët të cilët ishin në rrezik për jetën, por edhe më pamjet e para tronditëse të asaj çfarë kishte ndodhur.
Mark Marashi, Oficer i Patrullës së Përgjithshme
“Në orën 20:49 punonjësi i policisë Hajredin Boja, i cili është i planizuar me shërbim tek dhomat e sigurisë për personat e ndaluar dhe të arrestuar, më ka telefonuar në numrin tim duke më thënë ‘shpejt se ka rënë zjarr’. Unë në atë moment kam marrë çelësat dhe jam drejtuar për tek dhomat e sigurisë. Kolegu im Fatmir Isufi ishte i tronditur dhe mezi mbushej me frymë. E pyeta se ku ishte kolegu tjetër Hajredin Boja.
Fatmiri më tha se Hajredini ishte futur përsëri tek dhomat pasi kishte ngelur një person tjetër brenda. Kam tentuar të zbres edhe unë poshtë, por ishte e pamundur sepse kishte shumë tym dhe nuk merrej dot frymë. I kam thirrur Hajredinit, por nuk më është përgjigjur.
Pasi është bërë fikja e zjarrit u jam drejtuar punonjësve të zjarrfikëses që të kontrollonin mirë ambientet pasi kishte edhe një person tjetër brenda. Kam ndezur dritën e telefonit tim dhe së bashku me kolegët e tjerë kemi kontrolluar dhomat me radhë, por nuk konstatuam njeri. Në fund të korridorit të këtyre dhomave ndodhet tualeti që është në funksion të personave të ndaluar dhe arrestuar. Aty kemi parë personin e arrestuar Arben Mici, i cili ishte pa ndjenja, por me shenja jete. E kemi dërguar menjëherë në spital me ambulancë”.
Është fakt që Arben Mici u gjet me shumë vonesë nga forcat zjarrfikëse, në tualetin, që ndodhet në fund të korridorit.
Nëse mbërriti atje në tentativë për t’u arratisur, apo nuk mundi të orientohej drejt daljes për shkak të tymit të dendur, kjo mbetet ende e paqartë.
Hetimi do të hedhë dritë se çfarë ndodhi në atë orë të tmerrshme në dhomat e izolimit në komisariat.
Ambiente që sipas rekomandimit institucionit të Avokatit të Popullit duhet të ishin mbyllur me kohë, pasi ishin të papërshtatshme dhe me kushte skandaloze.
Është paradoks, sesi dhomave të reja të izolimit që janë ndërtuar prej muajsh ende nuk u janë hapur dyert për të vendosur aty njerëzit në konflikt me ligjin.
E kjo vonesë, vjen me “justifikimin” për shkaqe sigurie. Kjo sepse nuk montohen 3 zgara hekuri për ndarjen e kateve dhe nuk ndërrohen pajisjet e tualeteve, të cilat në kundërshtim me ligjin janë vënë prej porcelani.