Një avion i mbushur me kokainë në Brazil tregoi rolin gjithnjë e më në rritje të Turqisë në trafikun global të lëndëve narkotike. Agjencia e OBK-së thotë se kokaina dërgohet përmes Turqisë në vendet e Bashkimit Europian, Europës Lindore dhe Lindjes së Mesme.
Më 4 gusht të vitit 2021, policia federale braziliane zbuloi në një avion të regjistruar në emër të kompanisë ACM Air me bazë në Stamboll, 1.3 ton kokainë në 24 valixhe, me një vlerë prej 45.6 milionë euro. Në avion në atë moment ndodheshin një pasagjer belgo-spanjoll Angel Gonzalez Valdez, dhe katër anëtarë të ekuipazhit turq.
Sipas dokumenteve, avioni ishte nisur për në Malaga, Spanjë dhe pasi ishte zhdoganuar në Fortaleza, fluturoi për në Ribeirao Preto, ku ishte planifikuar të merrte katër pasagjerë të nisur për në Bruksel me një ndalesë në Portugali. Por policia preu në mes udhëtimin e tyre, shkruan Panorama.
Pamjet e operacionit u transmetuan në media të ndryshme në Brazil, Spanjë dhe Turqi dhe u shpërndarë në rrjetet sociale nga politikanë të opozitës turke dhe ajo braziliane.
Në fund të vitit, Valdez ndërroi jetë për shkak të kancerit në paraburgim, piloti u transferua në Turqi ku u akuzua për rolin e tij në trafikun e kokainës, ndërkohë që shtypi turk ngriti pyetjen se si një pronë shtetërore, avioni në fjalë që ishte përdorur për të transportuar presidentin turk Recep Tayip Erdogan gjatë grushtit të shtetit në vitin 2016, kishte përfunduar i mbushur me drogë dhe ishte konfiskuar në Brazil.
Trafiku i drogës përmes Turqisë.
Sipas zyrës së OKB për Drogën dhe Krimin, Turqia po bëhet gjithnjë e më shumë pikë tranziti për trafikun global të kokainës. Nga viti 2014 deri në vitin 2020 sasia e kokainës së kapur në këtë shtet është 5-fishuar. Vetëm gjatë vitit 2020 u kapën thuajse 2 ton kokainë, transmeton Panorama.
Antoine Vella, një studiues në UNODC, tha për DW se trafikantët turq po marrin një pjesë më të madhe të tregut evropian të kokainës, ku Turqia përdoret kryesisht si vend tranziti për kokainën me destinacion Evropën Juglindore dhe Lindore. “Sasi të mëdha janë sekuestruar në raste individuale, si në Turqi ashtu edhe në vendet e Amerikës Latine rrugës për në Turqi në vitin 2020 dhe 2021”, tha Vella.
Kokaina trafikohet në Turqi si nëpërmjet korrierëve ajror ashtu edhe përmes dërgesave detare. “Korrierët ajror shpesh përdorin aeroportin e Stambollit për t’u ulur dhe mund të udhëtojnë nga Amerika e Jugut si dhe nga Afrika,” tha Vella.
“Pablo Escobar-i brazilian”
Dokumentet dhe informacionet e marra nga DW tregojnë se pas aeroplanit turk që u kap në Fortaleza mund të fshihet një ish-oficer i policisë ushtarake braziliane i quajtur Sergio Roberto de Carvalho. Sipas raportimeve të mediave, edhe policia braziliane dyshon gjithashtu për përfshirjen e Carvalhos. Malaga, pika e nisjes për fluturimin e aeroplanit turk drejt Brazilit, dyshohet se është një bazë që ai e ka përdorur edhe më parë.
Carvalho, i njohur si “Pablo Escobar-i brazilian”, mendohet të jetë një nga baronët kryesorë të drogës në botë dhe dyshohet se ka trafikuar rreth 50 ton kokainë në Evropë nga viti 2018 deri në vitin 2021. Sipas mediave spanjolle, ai jetonte në Spanjë me një emër të rremë. Carvalho u arrestua si Paul Ëouter kur policia spanjolle konfiskoi një ngarkesë prej 1.7 ton kokainë në një anije që vinte nga Surinami.
Për shkak se “Wouter” kishte një rekord të pastër, Carvalho u lirua me kusht pas katër muajsh, duke paguar një garanci prej 200,000 euro-sh ndërsa çështja kaloi në gjykatë. Pas gati dy vitesh dhe pak para se gjykata të jepte vendimin e saj përfundimtar në gusht të vitit 2020, avokati i Carvalho i paraqiti gjyqtarit një certifikatë vdekjeje ku deklaronte se “Wouter” kishte vdekur. Çështja u pezullua.
Disa muaj më vonë, sipas raportimeve të mediave, policia braziliane informoi autoritetet spanjolle dhe Interpolin se Paul Wouter ishte, në fakt, Carvalho dhe se ai ishte larguar nga Spanja me një pasaportë tjetër pasi kishte kryer një operacion plastik. Interpoli nisi disa operacione në të njëjtën kohë që synonin të shkatërronin organizatën e Carvalhos në Brazil, Spanjë, Portugali, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kolumbi. Vetë Carvalho arriti të shpëtonte.
Policia gjeti pasaporta të rreme në shtëpinë e tij në Portugali, si dhe një furgon të mbushur me 12 milionë euro.
Një burim tha për DW se tre pasagjerët që nuk u kapën në avionin e ndaluar në Fortaleza ishin të afërm të Carvalhos, të cilët kishin vendosur të mos hipnin në momentin e fundit. Burimi tha se Escobari brazilian kishte përdorur kompani në Dubai, Brazil, Portugali dhe shtete të tjera për të pastruar miliarda dollarë. Burimet thanë gjithashtu se Carvalho po përdorte lidhje biznesi në Turqi për të pastruar para.
Punonjësit me operatorë tokësorë Lider Aviacao në aeroportin në Fortaleza dëshmuan se ACM Air kishte këmbëngulur të paguante me para për shërbimet tokësore, gjë që, për arsye sigurie, është një praktikë e pazakontë në industrinë e aviacionit. Punonjësit dëshmuan gjithashtu se avioni kishte shkuar në një destinacion tjetër nga ai i caktuar.
Të kontaktuar nga DW, punonjësit e ACM Air nuk zbuluan se kush kishte paguar 160,000 euro për të marrë me qira avionin, të cilin kompania e kishte blerë nga shteti turk në vitin 2017.
Angel Gonzalez Valdez, pasagjeri i vetëm, u arrestua së bashku me pilotin turk, ndërsa ekuipazhi turk u mor në pyetje. Avokati i Valdez tha për DW se Valdez kishte deklaruar se piloti mbante përgjegjësinë kryesore për drogën e kapur në bord.
“Angel pranoi se nuk dinte shumë për operacionin dhe ai thjesht ndoqi urdhrat e pilotit,” tha avokatja, Maria das Dores Goncalvez Cavalcante.
Udhëtimi i gjatë i dërgesës së kokainës
Konfiskimi më i fundit i raportuar i kokainës gjatë rrugës për në Turqi nga Amerika Latine u bë në shkurt, kur rreth 44 kilogramë (me vlerë 97 paund) kokainë e pastër u kapën në një mjet që përdorej për transportin e bananeve gjatë inspektimeve të kryera në portin në Guayaquil, Ekuador ku u arrestuan edhe disa shqoptarë. Në fakt, Ekuadori është një emër që del shpesh në raportet për dërgesat e kokainës në Turqi.
Në qershor, 1.3 ton drogë, gjithashtu nga Ekuadori, u kapën në provincën jugore të Mersinit të Turqisë, sasia më e madhe e vetme e kokainës e kapur ndonjëherë në tokën turke.
Pjesa më e madhe e kokainës së kapur në Turqi ose gjatë rrugës për në Turqi është e destinuar për shpërndarje brenda vendeve të tjera të Evropës dhe Lindjes së Mesme, por tregu i brendshëm po rritet, megjithëse ende zbehet me shitjet në vendet e BE-së si Spanja, Holanda dhe Gjermania .
Qendra Turke e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (TUBIM), një njësi e atashuar pranë Policisë Kombëtare Turke, nuk do të jepte specifika për sasinë e kokainës që kalon në Turqi çdo vit, apo se si shpërndahet më pas jashtë vendit.
“Nuk mund të përjashtohet që kërkesa nga një treg i brendshëm në zhvillim mund të kontribuojë në rritjen e flukseve drejt Turqisë,” tha Vella i UNODC. “Këto zhvillime duket se janë pjesë e një modeli më të gjerë të zgjerimit të tregut të kokainës dhe diversifikimit të rrugëve dhe aktorëve të vëzhguar vitet e fundit.”
Hetimet vazhdojnë ende në Brazil dhe Turqi se kush qëndron pas valixhet me kokainë të sekuestruar nga avioni ACM në Fortaleza. Shtrirja e rrjetit të brazilianit Escobar brenda Turqisë mbetet e errët. Si piloti ashtu edhe pronari i ACM Ozkan mbeten në burg, por asnjëri nuk është dënuar.