Nga Ylli Pata
Po mbushen 365 ditë nga kur Sali Berisha, në një sallë e hotel Rognerit shpalli padinë e Sekretarit Amerikan të Shtetit në një gjykatë të Parisit, në lidhje me ndëshkimin me “non grata” të firmosur, vulosur e protokolluar në Uashington.
Një gjë krejt e pakuptimtë në dukje, ku shqiptarët mund ta kenë hasur një gjë të ngjashme vetem në “Humor parlamentar” të të ndjerit Koço Devole që jepej në fillimet e viteve 90 të shekullit të shkuar në të vetmin televizion shqiptar.
Por përveç aspektit të absurdit të faktit, se si mund të paditet një zyrtar amerikan për një vendim të SHBA, në një gjykatë të Francës, gjithsesi, nëse të paktën do të kishte nisur një procedurë gjyqësore, për një vit do të lëvizte avokati, kancelaria apo edhe gjykata.
Piercamillo Davigo, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Itali e ish-prokuror i famshëm i Mani Pulite, deklaroi pak kohë më parë se drejtësia franceze është aparati i drejtësisë që lëviz më shpejt se të gjithë Europa. Pra nuk ka procese e procedura të ngadalta, gjë që Italia është e njohur.
Që do të thotë, se të paktën për dy muaj pas mbarimit të sezonit veror të pushimeve (Berisha e mori mandatën në maj, po ja po e fusim verën), do të kishim një zhvillim për gjyqin e Berishës.
E megjithatë, deri tani nuk është publikuar asgjë zyrtare, qoftë edhe një mandat thjeshtë tarifor i depozitimit të një kërkese kancelarike.
Drama në këtë rast, nuk është se Sali Berisha ja ka mbytur më kot për këtë gjë, pasi të gjithë e dinë këtë ves që është kthyer në fenomen në politikën shqiptare, e është pjesë e “berishizmit politik”.
Por ajo që çudit më shumë, është fakti se njerëz të njohur publik në rrezen e së djathtës, opozitës, PD-së, por edhe mbështetës mediatikë të Doktorit, kanë përdorur tezën e padisë së Parisit, si një standard të mirëqenë.
“Le të presim gjyqin pastaj flasim”. “Është gjyqi ndaj Blinkenit që doktori e ka çështje dinjiteti”. “Të sjellë fakte Departamenti i Shtetit, Berisha ka të drejtë” etj, janë vetëm disa nga tezat që kanë hedhur për thuajse një vit të gjithë mbështetësit e tij për këtë çështje.
Duke akuzuar pa mëshirë, e sulmuar këdo që shtronte e shkruante se çështja e ndëshkimit me Non Grata është një vendim që duhet konsideruar si një “damkë me vulë të thatë”, pra që s’hiqet asnjëherë.
Që do të thotë, se me këtë damkë, është përcaktuar qartësisht papërshtatshmëria e qëndrimit në politik të Sali Berishës, por edhe metodave e njerëzve të tij, që kanë përkrahur e instaluar: “Korrupsionin madhor, pengimin e drejtësisë dhe minimin e demokracisë” në këtë vend për afro 30 vjet me radhë.
Mirëpo ja ku jemi sot, kur Sali Berisha doli para shqiptarëve si personazhi i Kapter Ramiut te filmi “Dueli i Heshtur” me batutën e pavdekshme: “Po puna e komisarit ishte loja…!
Pas kësaj mund të qeshë doktori, e të gajasemi edhe ne, për atë që “naivët” e kanë besuar me të vërtetë se kemi një story që flet për një avokat të famshëm në Francë, i cili ka marrë përsipër të mbrojë Sali Berishën para një gjykate të Parisit. Po askush nuk tha se me çfarë parash, e ku i merr doktori këto donacione për të paguar tarifat e kripura të avokatëve të mirë francezë.
Nejse, ajo që duket pa lidhje sot është si mund të dalin para publikut e të tjerrin sërish “çështjen e dinjitetit” të Sali Berishës përpara qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Dhe e tmerrshmja është, se për mbi gjashtë muaj, pra nga përjashtimi i Sali Berishës prej grupit parlamentar të PD-së, si pasojë e “Non Grata”-s, u kamuflua beteja e tij me Lulzim Bashën, për “shkeljen e statutit të PD-së” e më pas për “bashkimin e partisë”.
E gjithë lufta, deri edhe e dhunshme e Berishës për të marrë selinë e PD-së, nuk ka lidhje fare me partinë e strukturat e saj, atij i mjafton vetëm formalisht një “kullë” për të qëlluar qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe zyrtarët e angazhuar me Shqipërinë. Ku natyrisht ambasadorja Yuri Kim është objektivi numër 1 për tu goditur.
Në asnjë vend të Ballkanit, ku SHBA ka shpallur politikanë me duzina si “Non Grata”, nuk i kanë sulmuar kaq egër ambasadorët amerikanë. Madje as Milorad Dodik, i cili është një antiamerikan i shpallur dhe për këtë ai fiton vota, nuk ka ndërsyer tërë taborin e tij mediatik e politik për të goditur diplomatët e zyrtarët e SHBA-së.
Berisha, në fakt ka kohë që po përgatitet për të shpallur “dështimin e gjyqit në Francë”, duke e kamufluar me një tezë tjetër: që “ekzistojnë dy SHBA; njëra republikane e një demokrate”. E sipas Berishës, ajo “republikane është me të dhe do ja heqë njollën”. Siç e ka shpallur edhe Evis Kokalari në takimet e Foltores në qytete të ndryshme
Por edhe kjo është tezë totalisht fake, e koha do ta vërtetojë, madje shumë shpejt.
Sali Berishës, ka nisur t’i aktivizohet plani i sanksioneve nga qeveria amerikane, që në administratën e Donald Trump-it. Vetë Berisha nuk mbahet mend kur ka vizituar së fundmi SHBA-në, së bashku me familjen.
Në vitin 2019, kur president ishte Trump e sekretar Shteti, Mike Pompeo, këtë e zbuloi Edi Rama në sallën e Parlamentit, kur i bëri thirrje të flasë më konkretisht se përse nuk i japin vizë amerikane. Ishte fiks koha kur nisën non gratat për “Korrupsion Madhor” në Ballkan.
Realisht ka prej vitesh që politikanë të ndryshëm shqiptarë, madje edhe ish-ministra e ish-kryeministra nuk marrin vizë amerikane, së bashku me familjarët e tyre. E kjo politikë nuk është ndryshuar, pasi përbën një vendim që është marrë për një arsye të caktuar.
Por kjo ndodh në mënërë të heshtur e konfidenciale, e nuk lidhet me publikimin në media. Pasi është politikë e qëndrushme e Uashingonit. “Non grata” pastaj është një hap mjaft i avancuar, ku flitet me emër, mbiemër e pjesëtarë të familjes e rrethit të saj.
Gjithsesi, mesa duket, ky agresivitet i shtuar i Berishës ndaj SHBA-së këto ditë, ka një lidhje me paranojën e tij për “komplot ndaj tij”.
Fatmir Mediu, ka kohë që përgatiste një vizitë në SHBA, e arriti të marrë vizën, edhe pse SPAK ka rihapur hetimet për Gërdecin. Ndërkohë, këto ditë Mediu ka arritur të publikojë foto nga takimet edhe me senatorë të ndryshëm në Kongresin amerikan.
Sindroma e ndonjë “besëprerje” nga ish-aleati, duket se ka ndikuar në një agresivitet në gjuhën e sulmeve. Gjithsesi, thelbi nuk ka të bëjë me psikanalizën e asaj çka percepton doktori, por në psiko-banalizimin e një çështje kaq serioze si ndëshkimi me non grata, nga ana e mbështetësve mediatikë për një vit me radhë. E kush është “naivi” në këtë rast që ka besuar përrallën e “shpëtimit të komisarit që ka dal në det me rimorkjator”?!