Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Forumin e kryetarëve të Bashkive në OKB Gjenevë (UNECE Forum), ku prezantoi transformimin e Tiranës me një sërë projektesh novatore dhe nismat e gjelbra, për rritjen e cilësisë së jetës në kryeqytet.
Veliaj ishte dhe bashkëdrejtuesi i seancës që hapi sesionin e dytë të Forumit, ku u bënë bashkë kryebashkiakë të shumë qyteteve europiane, si Vilnius, Riga, Madrid, Ghent etj. Në këtë sesion u shfaq vizioni i krerëve lokalë për të ndërtuar komunitete të qëndrueshme.
Në fjalën e tij, në selinë e OKB në Gjenevë, Veliaj theksoi se Tirana vendosi t’i bashkohet qyteteve si Parisi, Milano dhe Londra, të cilat përshtatën strukturën e qyteteve me nevojat pas pandemisë për zhvillim të qëndrueshëm.
Më shumë korsi të dedikuara për biçikletat, trotuare më të gjera, autobusë hibridë për transportin publik, stacione karikimi për makinat elektrike, stimuj fiskalë për lëvizjen elektrike dhe ditët pa makina, Pylli Orbital, mbjellja e 2 milionë pemëve, si dhe lagjet “15 min” të projektuara nga Casamonti dhe Boeri, ishin disa nga nismat që përmendi kryebashkiaku i Tiranës, te cilat po ndodhin në kryeqytetin shqiptar.
Veliaj tha se projekte zhvilluese dhe transformuese si Piramida dhe nisma të tjera që i çojnë të rinjtë drejt teknologjisë, i kanë dhënë një tjetër hov Tiranës së të ardhmes.
Kryebashkiaku nuk la pa përmendur edhe solidaritetin e kryeqytetit shqiptar për çka po ndodh në Ukrainë. “Tirana qëndron në krah të Ukrainës! Në këto kohë dramatike, donim të tregonim miqësinë tonë si dikur për hebrenjtë, vëllezërit tanë kosovarë dhe afganët vitin e kaluar, sepse ne vijmë nga i njëjti djep ku lindi Shën Tereza jonë, një ikonë e shqiptarëve, e dashurisë së Zotit, të varfërve dhe atyre në nevojë në mbarë botën”, tha Veliaj në OKB, duke veçuar faktin se në Tiranë një rrugë pranë ambasadës ruse dhe serbe ka marrë emrin “Ukraina e Lirë”. Ai përmendi se në datën 8 prill në Tiranë është thirrur edhe një manifestim i madh në mbështetje të popullit ukrainas.
Veliaj e mbylli fjalën e tij me një ftesë për të vizituar Tiranën, Kryeqytetin Europian të Rinisë për vitin 2022./m.j