Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rendë që ndodhi një ditë më parë në Kallmet të Lezhës ku mbeti i plagosur zyrtari lokal Besnik Simoni dhe shtetasi Altin Marku.
Raportohet se mes kreut të Njesise Administrative, Besnik Simoni dhe 41-vjeçarit ka pasur shkëmbim zjarri jashtë zyrës së zyrtarit.
Blutë informojnë se Besnik Simoni është arrestuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në ngjarje janë përdorur dy armë, por deri tani është gjetur vetëm njëra prej tyre.
Ndërsa Altin Marku u arrestua disa orë pas ngjarjes. Ai u arratis pasi qëlloi me 3 plumba zyrtarin, por pas kërkimeve nga forcat e Policisë lokale, por edhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët blinduan zonën e Kallmetit, u dorëzua pa bërë rezistencë.
41-vjeçari Altin Marku u gjet i plagosur me armë zjarri në krah në banesën e një të afërmi të tij në fshatin Kallmet dhe u dërgua drejt Spitalit Rajonal të Lezhës e më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Në dëshmitë e para, ka deklaruar se “se kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit, Besnik Simoni, ka qenë i pari që ka qëlluar me armë zjarri e më pas ky i është përgjigjur”.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja ndodhi rreth orës 13 e 30 minuta të ditës së premte, në rrugën që lidh Kallmetin me superstradën Lezhë-Shkodër.
Altin Marku i kishte shkuar në zyrë Besnik Simonit dhe aty, sipas Policisë, janë përfshirë në një debat të fortë verbal.
Disa orë më pas, ai ka zënë pritë në mes të rrugës funksionarit lokal, duke e qëlluar disa herë brenda makinës me të cilën udhëtonte.
Kreu i Njesise Administrative të Kallmetit ka marrë tre plagë plumbash, kryesisht në zonën e shpatullës dhe në pjesën e barkut.
Në momentin e ngjarjes së rëndë, bashkë me të në makinë ndodhej edhe një person tjetër, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.
Ky i fundit e mori të plagosurin dhe e dërgoi me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës e më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Sipas burimeve, Besnik Simoni ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha dhe ka kaluar rrezikun për jetën.
Pas ngjarjes, autori arriti të largohet por u prangos rreth orës 17:00 të së premtes . Ai u kap në banesën e një të afërmi të tij në fshatin Kallmet, ndërsa Policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën e krimit.
g.kosovari