Rritet tensioni mes dy fronteve në ditën e 38-të të luftës, pas lajmit për sulmin një ditë më parë ndaj një depoje karburanti në Belgorod. Rusia është kundërpërgjigjur menjëherë duke sulmuar me anë të raketave nga Krimea të lëshuara në Odessa, duke shkaktuar edhe viktima. Të paktën dymbëdhjetë raketa u lëshuan në Dnipro. Shpërthime pati edhe në Kryvyi Rih, Kharkhiv, Saltovka dhe në perëndim të Kherson, në jug, ku kundërofensiva ukrainase po përparon.
Forcat e Armatosura të Ukrainës akuzuan ushtrinë ruse për minimin e ndërtesave dhe infrastrukturës civile, si dhe hapësirave të tjera në qytetin Bucha, në rajonin e Kievit, përpara se të dëboheshin nga trupat ukrainase.
Britania e Madhe reagoi lidhur me sulmin në depon e karburantit në Rusi, ku tha se humbja ‘e mundshme’ e karburantit dhe municionit në Belgorod mund të tensionojë zinxhirët e furnizimit rus.
Nga ana tjetër SHBA deklaroi se nuk do të shtyjë Ukrainën të bëjë lëshime që të “përshtatet” me një marrëveshje për paqe.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola është takuar në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Vizita është vlerësuar lart nga i pari i Ukrainës. “Unë sinqerisht dua të ju falënderoj ju personalisht Roberta dhe të gjithë ekipin tuaj që jeni këtu në një moment kaq të rëndësishëm për shtetin tonë. Në këtë moment ju po tregoni heroizëm. Tani është heroike të vish në Ukrainë”, tha Zelensky.