Socialistët do të negociojnë për përzgjedhjen e një kandidati konsensual për presidentet kushdo që të jetë në krye të opozitës, me kushtin që negociatat të zhvillohen me grupet parlamentare opozitare dhe jo me subjektet politike.
“Ne nuk zgjedhim dot drejtimin e Partisë Demokratike, nëse do të zgjedhim një person “non grata” kjo është një çështje kosto dhe benefite që duhet t’i vlerësojnë ata. Partia Socialiste do të jetë në procese normale bashkëpunimi me të gjithë faktorët parlamentar në Parlament. Ne nuk mund të mohojmë që ekziston opozitë dhe flukse të ndryshme opozite” – thotë Damian Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve që do të drejtojnë grupin e përzgjedhur për të negociuar me opozitën për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, nuk zbulon emra si dhe nuk përjashton që në krye të listës që do të mbështetet prej tyre të jetë dhe një grua. Por për Gjiknurin më e rëndësishme për shumicën është gjetja e një kandidati më mbështetje të gjerë, edhe pse në fund nëse nuk ka dakordësi Kushtetuta e ka të zgjidhur këtë çështje.
“Është shumë shpejtë për të folur për emra jemi duke marrë opinione nga të gjithë faktorët, natyrshëm mbi të gjitha nga faktorët e brendshëm politik brenda të majtës, po pse jo dhe personalitete jashtë të majtës. Procesi negociues do të hyjë me një short-list të mirë kandidatësh”.
Gjiknuri është i vërtetë kur thotë se në Shqipëri gjetja e figurave apolitike është e vështirë ndaj për të më shumë se prejardhja politike e presidentit të ri është sjellja që do të zgjedhë të ketë ai pasi të ulet në kolltukun presidencial. Dhe krahasimi duket se i vjen natyrshëm se si nuk duhet të jetë kreu i ri i shtetit.
“Siç patëm rastin e zotit Meta i cili ka qenë më shumë një president i mirëfilltë politik, njeri me axhendë politike në shërbim të opozitës dhe interesave të tij”.
Si ish-ministër për 5 vite, tani Sekretar i Përgjithshëm i partisë, Gjiknuri nuk pranon të japë një mendim personal mbi performancën e qeverisë dhe nëse ka vend për ndryshime në qeveri sa kohë është i qartë se ky është atribut kushtetues që e ka vetëm Kryeministri.
/a.r