“A e kuptoni George, Ukraina nuk është as shtet!” Vladimir Putini e shoqëroi fjalinë, duke përplasur grushtin mbi tavolinë.
Para tij ishte një George Bush i hutuar, në atë kohë president i Shteteve të Bashkuara.
Ishte Këshilli Rusi-NATO, prill 2008. Data është e rëndësishme. Kjo, pasi në atë tryezë objekt i mosmarrëveshjes sigurisht që nuk ishte Kievi, por Gjeorgjia, të cilën Rusia do ta sulmonte më pas në gushtin e ardhshëm.
Gjatë takimit me dyer të mbyllura, Putin u bëri të ditur kolegëve të tij se Moska e shihte afrimin e NATO-s ndaj kufijve rusë si një kërcënim real për interesat e saj dhe premtoi masa adekuate.
Ai shtoi se, nëse NATO i premtonte anëtarësimin Gjeorgjisë, atëherë Rusia do të njihte menjëherë Abkhazinë dhe Osetinë e Veriut.
Deri këtu dialogu kishte të bënte me një dialektikë normale midis fuqive, jo shumë pranë njëra-tjetrës.
“Por për Gjeorgjinë, Putin-i foli me qetësi dhe si kalimthi”, tha një burim i brendshëm nga delegacioni i një vendi të NATO-s për gazetën ruse “Kommersant”.
“Nga ana tjetër, kur ra fjala për Ukrainën, Putin pati një zemërim të paparë. Duke iu kthyer Bushit, ai i tha: por a e kupton George që ajo as shtet nuk është”.
Qe hera e vetme, që kur dëgjoi përmendjen e atij emri, presidenti rus humbi qetësinë e tij proverbiale.
“Çfarë është Ukraina? Një pjesë e territoreve të saj është e Evropës Lindore dhe një pjesë, dhe jo e vogël, ia kemi dhënë ne! Duhet të më thuash se çfarë është Ukraina, sepse thjesht unë nuk e di, Ukraina nuk është asgjë”.
Pas këtij shpërthimi, Putin u mori veten sërish. Në të vërtetë, ai kërkoi falje që ngriti zërin. Por, më pas shtoi, me një ton të akullt, se nëse Ukraina do të pranohej në NATO, menjëherë do të pushonte së ekzistuari thjesht si shtet.
I pyetur për shpjegime të mëtejshme, shtoi se, në këtë rast, Rusia do të fillonte menjëherë aneksimin e Krimesë dhe Ukrainës Lindore.
Lajmi nuk është parashikimi i asaj që do të ndodhte më vonë në 2014 dhe 2022. Lajmi në këtë rast është shpërthimi i Putin-it, i cili nuk u mohua kurrë nga Kremlin-i.
Një shenjë tjetër e faktit se për presidentin rus, Ukraina është pothuajse një çështje private.
Një ditë pas publikimit të këtij raporti, “Kommersant” i kërkoi Kremlin-it një shpjegim, i cili konfirmoi përmbajtjen e tij. Ishin vërtet kohë të tjera.
Gazeta ruse e biznesit “Komersant” lindi në vitet e fundit të perestrojkës, duke iu referuar gazetës para-revolucionare me të njëjtin titull. Ajo arriti kulmin e popullaritetit në kohën e Jelcinit, deri në krizën e vitit 1998, duke u bërë kështu gazeta e borgjezisë liberale që po formohej në qytetet e mëdha.
Më pas u ble nga Boris Berezovsky, oligarku që së shpejti do të përzihej dhe do të futej në listën e zezë të Putin-it.
Dhe, si pasojë, në vitin 2008 pronari i saj ndryshoi sërish. U ble për 200 milionë dollarë nga miliarderi Alisher Usmanov, mik personal i presidentit.
Që nga ajo ditë, historitë e çdo lloji brenda gazetës përfunduan./m.j