Presidenti i SHBA Joe Biden do të marrë pjesë në tre samite, ku do të takohet me krerët e NATO-s, G7 dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Biden do të jetë në Bruksel për diskutime me aleatët rreth hapit të ardhshëm në përgjigjen ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe pushtimit të tij në Ukrainë. Takimi i parë është me liderët e NATO-s, ku pritet të ketë një angazhim për rritjen e dislokimeve ushtarake në krahun lindor të Evropës, raporton Skynews.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se liderët do të diskutojnë vendosjen e katër njësive të reja luftarake në Bullgari, Rumani, Hungari dhe Sllovaki. Aleanca ushtarake prej 30 vendesh do të pranojë gjithashtu t’u dërgojë pajisje ukrainasve që mund t’i ndihmojnë ata të mbrohen kundër sulmeve biologjike, kimike dhe bërthamore ruse.
Takimi i liderëve të G7 dhe samiti i mëvonshëm me 27 vende të Bashkimit Evropian do të fokusohen në sanksione të mëtejshme kundër Rusisë. Vendet evropiane do të diskutojnë mënyrat e shkurtimit të varësisë nga gazi rus.
g.kosovari