Presidenti amerikan Joe Biden e ka etiketuar homologun e tij rus Vladimir Putin si “kriminel lufte”.
Pas deklaratës së tij, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov u ka kërkuar liderëve evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.
“Unë po u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Parlamentit Evropian që të pranojnë se Putin është një kriminel lufte, siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara”, i tha ai një komisioni në Bruksel përmes një komunikimi virtual. “Nuk është thjesht një luftë. Është terror shtetëror.”
Komentet e tij vijnë pasi Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss tha gjithashtu se kishte “prova shumë, shumë të forta se Putin ishte një kriminel lufte”.
Ekspertët kanë paralajmëruar megjithatë se një gjuhë e tillë ka të ngjarë të përshkallëzojë edhe më tej tensionet diplomatike.
Reznikov përsëriti gjithashtu thirrjet e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për zbatimin e një zone ndalim-fluturimi për të mbrojtur vendin e tij nga sulmet ajrore dhe bombardimet.
“Sa më shumë të hezitoni, aq më shumë do të perceptohet nga fëmijët dhe nipërit tanë si bashkëfajësi juaj në këtë krim”, tha ai. “Prandaj, ju lutemi, merrni këtë vendim sepse elektorati juaj do të reflektojë mbi veprimet tuaja.”
g.kosovari