Elsa Lila, këngëtarja e njohur e shqiptare që u arrestua një ditë më parë në Romë nga policia italiane gjatë aksionit për shkatërrimin e një organizate kriminale, rezulton nga hetimet se mbante llogaritë e kësaj bande që trafikonte drogë.
Corriere raporton se këngëtarja 40-vjeçare njohur edhe në Itali pasi ka kënduar dy herë në Sanremo, ka rënë pre e përgjimeve së bashku me anëtarët e tjerë të rrjetit.
Elsa Lila konsiderohet si kontabilistja e grupit kriminal prej 13 anëtarësh. Deri tani nuk ka asnjë fakt që provon përfshirjen e saj direkte në trafikun e lëndëve narkotike apo në menaxhimin e takimeve për shitjen e drogës, por gjyqtari e konsideron atë si të përfshirë direkt në organizatë kriminale dhe njeriun e besuar të kreut të bandës.
Kjo organizatë kriminale drejtohej nga një shqiptar dhe nga një italian. Të dy janë shpallur në kërkim pasi nuk u bë e mundur arrestimi i tyre. Për autoritetet italiane, Elsa Lila është njeriu i besuar i Arindi Boriçi, i njohur edhe si Rindi, shqiptarit që drejton organizatën.
Arindi Boriçi është person i njohur për autoritetet italiane. Pak kohë më parë ishte shpallur sërish në kërkim pasi rezultonte i përfshirë edhe në një tjetër rast të trafikut të drogës.
Dhe ka qenë pikërisht Elsa Lila, raporton Corriere, që në Verën e vitit 2019 i ofroi Rindit shtëpinë e saj për t’iu fshehur policisë kur ai ishte në kërkim.
Elsa Lila është përgjuar në një bisedë me shefin e organizatës, me të cilin fliste për ryshfet dhe korruptimin e zyrtarëve.
“Askush nga shteti nuk vjen të më kontrollojë, më njohin, kam marrëdhënie të shkëlqyera. Në një rast më vendosën një gjobë dhe më thanë të mos e paguaja sepse nuk do ta verifikonin. Sepse këtu është si në Shqipëri, të duhet një mik ose lidhje me shtetin, kushdo që të jetë në qeveri të duhet të gjesh një mënyrë sepse edhe këtu njerëzit shiten”, është dëgjuar të thotë në një përgjim këngëtarja 40-vjeçare.
Elsa Lila mbante të gjitha financat e kësaj organizate kriminale të trafikut të drogës, të paktën sipas hetimeve të deritanishme nga autoritetet italiane. Nga 13 urdhër-arreste, policia arrestoi 9 persona ndërsa të tjerët janë shpallur në kërkim.
/a.r