Elementi kohë duket se merr një tjetër kuptim në selinë blu. Më 18 mars Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e ndryshimeve statutore, ku marrja e aprovimit për Lulzim Bashën do të legjitimonte plotësisht betejën e tij kundër Sali Berishës.
Ky duket se është asi nën mëngë i kryedemokratit, të cilit për të arritur deri të premten i nevojitet kohë, element të cilin Lulzim Basha e ka me pakicë.
“I kemi lënë afat deri nesër Bashës”, tha Duma.
Përballë presionit të rebelëve të cilët i kërkojnë dorëheqjen, kryedemokrati ka vënë në lëvizje të besuarit e tij. Enkelejd Alibeaj si kryetar grupi i është besuar si detyre nga Basha për të zbutur zemërimin e deputetëve, të paktën deri në fund të kësaj javës.
Taktika e Lulzim Bashës nuk duket të jetë individuale, dhe dukshëm si edhe me parë ka një mbështetje në heshtje nga ndërkombëtarët, sa kohë largimi i tij kushtëzohet me mosrikthimin e Sali Berishës në krye te PD.
Sali Berisha nga ana e tij po pret zhvillimet brenda selisë të cilën nuk e mori dot në 8 janar me protestë të jashtme, por shpresat duket se i ka më së shumti edhe tek revolta e brendshme që ka shpërthyer pas disfatës së 6 marsit.
Fundjava është e ngarkuar për Lulzim Bashën dhe për këtë nuk e ka ndihmuar as Kuvendi, i cili të enjten nuk do të diskutojë mocionin me debat për krizën e çmimeve, të kërkuar nga selia blu.
Të premten procesi gjyqësor për pronarin e selisë blu. ka gjithmonë rrezikun t’i heqë Bashës vulën që edhe kështu, mezi po e mban pas 6 marsit.
Ultimatumi i Grida Dumës mund të mos jetë dhe aq kërcënues, por është shenja e radhës se ditët më të vështira për kreun e PD, janë akoma përpara./m.j