Ukraina ka humbur deri tani 1300 ushtarë në përpjekjen e saj për të zmbrapsur pushtimin rus, të nisur mëngjesin e 24 shkurtit. Shifrën e bëri të ditur Presidenti Volodymyr Zelensky, i cili vizitoi të dielën një spital ushtarak në Ukrainë, pa zbuluar vendndodhjen e tij.
Shifra është disa herë më e ulët sesa ajo e ushtarëve rusë që Ukraina pretendon se ka vrarë, mbi 12 mijë. Megjithatë, SHBA beson se kjo shifër është mes 2 dhe 4 mijë.
Më herët, Ukraina ka pranuar se Rusia ka shkaktuar mijëra viktima në civilë, shumë herë më tepër sesa ushtarë.
Disa nga ushtarët që takoi Zelensky thuhet se janë plagosur gjatë luftimeve në Hostomel dhe Irpin, dy zona pranë Kievit, ku rusët kanë përqendruar sulmin e tyre. Ndërkohë, në jug të vendit, teksa Rusia kërkon të marrë portet kryesore të Ukrainës, gjithashtu ka pasur viktima. Në Mariupol, Këshilli Bashkiak konfirmoi se që prej nisjes së pushtimit 2100 civilë kanë humbur jetën.
Pavarësisht tragjedisë së shkaktuar nga lufta e nisur prej 24 shkurtit, të dy palët kanë deklaruar se në takimet periodike që kanë mbajtur mund të arrihet progres. Gjithsesi Rusia ka deklaruar se kërkon të demilitarizojë Ukrainën si dhe ta detyrojë që të mbajë qëndrim neutral, duke mos u anëtarësuar në NATO. Gjithashtu kërkon njohjen ndërkombëtare të Krimesë si pjesë të Rusisë dhe njohjen e pavarësisë së dy republikave separatiste të krijuara në rajonin e Donbasit.
/a.r