Nga Ylli Pata
Kanë nisur që mbrëmë, e natyrisht do të vijojë së paku deri më 22 mars, kur Sali Berisha ka shpallur rikthimin “de jure”, e së fundmi më 24 korrik kur ikën Ilir Meta nga Presidenca, entuziazmi për triumfin e “Shtëpisë së Lirisë” në zgjedhjet e pjesshme.
Një triumf që natyrisht do të “djegë” panele të tëra këtë javë, të cilat sipas gjasave do të lënë pak tmerret e Ukrainës për tu marrë me “Krimenë shqiptare”-Shkodrën.
“Republikën autonome” që pritet të shpallin natyrisht Sali Berisha dhe Ilir Meta, duke e cilësuar sipas të gjitha gjasave “kështjella e shpëtimit të pluralizmit”.
E kjo metaforë do të vijojë edhe tek mbështetësit e mëdhenj në prime time, edhe për ca kohë.
Po cila është realisht përmasa politike e këtij “shpëtimi të pluralizmit” që ata e lidhnin me ngadhënjimin e subjektit të Sali Berishës dhe Ilir Metës në votimet e 6 marsit?
Tashmë është e qartë që ngrehina politike e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike në të gjithë këto vite, nuk ka qenë aspak e tija. Mjaftoi një dalje e Sali Berishës si pasojë e ndëshkimit nga qeveria e SHBA dhe ish-kryetari mori pjesën më të madhe të votave në garën e parë me njeriun që e largoi nga grupi parlamentar i PD-së.
Edhe pse ka një entuziazëm të madh nga njerëzit e Berishës për atë ç’ka ndodhi dje, realisht kemi të bëjmë me një proces që u jetësua me trupat e vjetra që i ka kontrolluar kryetari historik.
Ky entuziazëm, i ngjan identik atij të Fatos Nanos, kur rrëzoi Pandeli Majkon në Kongresin e tetorit 1998 në garën për kryetar partie, pasi ishte larguar përkohësisht nga froni.
Në fakt, të gjitha strukturat që prodhojnë vota brenda PS-së, ishin besnike ndaj Nanos. Pandeli Majko, mendoi se do të bashkëjetonte me to, duke i mbajtur me shpresën se do t’i shërbejnë atij siç parardhësit.
Por ne pamë që edhe pse u shit si një manovër politike, rikthimi i Nanos ishte artificial, e aspak një proces që ngjiti, si në publikun shqiptar, ashtu edhe atë ndërkombëtar.
Fatos Nano, thjesht qëndroi si inerci e besdisshme, duke tentuar që nga liberali të kthehet në autoritar, por largimi përfundimtar ishte i pashmangshëm, gjë që ndodhi.
Sali Berisha, e natyrisht edhe Ilir Meta, sado që të përdorin e shtyjnë me zor procese të sforcuara, e ardhmja e tyre politike tashmë është e vendosur, e nuk ka gjasa të jenë alternative politike. Ata janë në shtratin e një inercie që si e tillë është proces me kohë të shkurtër.
Një opozitë e çiftit Meta-Berisha, sado reaktive dhe e zhurmshme të jetë, sado të prodhojë takime e tubime, maksimumi(nëse s’do ketë alternativë tjetër) do të lënë PS-në sërish në pushtet.
Megjithatë, ajo që intereson dhe përbën interes publik brenda dhe jashtë, është fati i Partisë Demokratike të Lulzim Bashës. i cili, 6 marsin jo vetëm nuk e ka marrë aspak seriozisht, por dha një model fushate fluide, që ka rritur edhe më shumë paqartësinë e publikut ndaj vizionit të tij politik.
Ndërkaq, në këto orë, duket në PD po “piqet” një klimë, siç e tha edhe Basha, që do të ketë prerje kokash në të gjitha strukturat e partisë që përballuan garën e 6 marsit.
Natyrisht që strukturat e PD-së, ose janë tërësisht të kalbura, ose janë me Sali Berishën, e kanë ndryshuar menjëherë kahjen, ashtu siç bënë oficerët e Ukrainës që kishin qenë pjesë e Ushtrisë Sovjetike, në 2014 kur batalionet e GRU pushtuan Donbasin.
Shkodra, është territor që ja vlen më shumë të ndalesh, si pasojë edhe e fuqisë elektorale tradicionale të së djathtës.
Në Shkodër, dega e PD-së ishte nga më të fortat që nuk pranuan të shkonin me “Foltoren” e Sali Berishës.
Madje, si drejtuesi i PD-së Shkodër, Xhevdet Amuli, ashtu edhe kandidati për kryetar bashkie, Xhemal Bushati, kanë dalë përballë grupimit të Berishës, të cilën e kanë cilësuar si një politikan agresiv, destruktiv dhe që kërkon të përballet politikisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vërtetë dega e PD-së së Shkodrës dhe kandidati për kryebashkiak nuk ja doli në betejën me konjukturën e vjetër politike, por ata zgjodhën përballjen politike me Metën e Berishën.
Madje Amuli deklaroi para zgjedhjeve se ish-kryebashkiakja Voltana Ademi ka ngritur struktura paralele të degës së PD-së që prej tre vjetësh, që natyrisht janë mbajtur me postet që ka ofruar Ademi në ndërmarrjet e sektoret e bashkive. Për PD-në e Shkodrës realisht ka qenë një disfatë e rëndë rezultati i djeshëm, e megjithatë ajo ka të gjithë logjikën politike që kërkon analiza.
Do të ishte e rëndë që ky grupim, i cili u përball me Berishën në muajt e fundit, të goditet, duke bërë që të kapitullojë rrënja properëndimore në strukturat e PD-së së Shkodrës.
Në fitoren e Bardh Spahisë kanë luajtur rol disa faktorë të rëndësishëm: dështimi apo sabotimi spektakolar i strukturave të PD-së në Shkodër, puna mjaft e fortë e grupit që drejton Bashkinë me në krye të Voltana Ademit, që mobilizuan të gjithë të punësuarit në ndërmarrjet që ka në varësi, e natyrisht LSI-ja e Shkodrës, e cila me rreth 8 mijë votat e saj ka shërbyer shumë në këtë fitore.
Po t’i heqësh 16 mijë votave të Bardh Spahisë, 8 mijë votat e LSI-së, diferenca e tij me Xhemal Bushatin nuk është as 4 mijë vota. Të cilat janë natyrisht shumë, por këtu duhet thënë se ka kontribuar edhe vetë kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”.
Spahia ishte kandidati me profil më të lartë politik, si dhe me një CV intelektuale më të kompletuar nga të gjithë konkurrentët e tij. Mjek i studiuar në Itali, me një përvojë qeverisëse dhe politike të gjatë, trashëgimtar i krahut të djathtë të Sali Berishës në vitet 90, ai i plotëson të gjitha kriteret e një kandidati të nivelit të lartë për bashkinë e Shkodrës.
Por e gjithë dilema është se a do të tregohet Bardh Spahia një kryebashkiak që do të administrojë territorin e bashkisë së Shkodrës, apo thjesht do të shërbejë si “Spahi” i Sali Berishës që kërkon një “kala” për të luftuar me Amerikën? Natyrisht që këtë do ta kërkojë koha.
Nëse Lulzim Basha e ka seriozisht ngritjen nga e para të një force politike të djathtë properëndimore në Shqipëri, disfata e 6 marsit ja ka dhënë mundësinë e një “katarsisi” të madh. Ndërsa “rithemelimi” i Berishës, duket do të marrë me vete strukturën e vjetër të PD-së, e cila nuk bashkëjeton dot me një lider tjetër.
Siç ndodhi në vitin 1991 me idhtarët e Enver Hoxhës, të cilët me kalimin e viteve, formonin nga një parti në muaj…