Ministria e Jashtme e Ukrainës njofton se disa njerëz kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmi me raketa ruse në centralin bërthamor, në Zaporizhzhia.
Në një njoftim të fundit në rrjetet sociale, Ministria thekson se punonjësit po monitorojnë uzinën e centralit për t’u siguruar që po funksionon në mënyrë të sigurt dhe nivelet e rrezatimit janë normale. Por, nëse procesi i ftohjes së karburantit bërthamor brenda njësive të energjisë nuk funksionon normalisht, mund të ketë dëmtime radioaktive në shkallë të gjerë, raporton “BBC”.
“Mijëra njerëz, përfshirë civilë, aktualisht nuk janë në gjendje të evakuohen nga zona pranë centralit, për shkak të granatimeve dhe luftimeve të vazhdueshme”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.
Sipas këtij dikasteri, një fatkeqësi bërthamore në Zaporizhzhia mund të jetë më e keqe se aksidentet e mëparshme në centralet bërthamore, si Çernobil apo Fukushima.
“Rusia me vetëdije ka ndërmarrë në sulm të armatosur në centralin bërthamor, një veprim që shkel të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”, përfundon deklarata.
g.kosovari