Një javë pas pushtimit të Ukrainës, trupat e rusë kanë rrethuar 75% të vendit, por deri më tani nuk kanë arritur të marrin në kontroll kryeqytetin e Ukrainës, Kiev dhe qytete të tjera të mëdha, shkruan BBC
Disa nga zhvillimet më të fundit në ditën e 7 të pushtimit:
–Parashutistët rusë ndodhen tashmë në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës
–Ministria ruse e mbrojtjes pretendon se ka pushtuar qytetin jugor Kherson
–Banorëve në Kiev u është kërkuar të largohen nga vendi përpara sulmeve ajrore të planifikuara
-Kolona e automjeteve ushtarake ruse ndodhet në veri të Kievit
Rusia nisi sulmin në orët e para të mëngjesit të së enjtes së kaluar nga tre drejtime kryesore: veriu, jugu dhe lindja. Që atëherë, trupat kanë rrethuar Ukrainën dhe objektivat në të gjithë vendin janë goditur nga sulme ajrore dhe sulme artilerie.
Lufta për Kievin
Trupat ruse kanë përparuar në Kiev nga veriu. Sipas imazheve satelitore, kolona e automjeteve ushtarake 40 milje e gjatë është penguar nga automjetet e shkatërruara. Por kryeqyteti është përballur me sulme të shumta nga ajri. Të martën, trupat ruse goditën kullën televizive në Kiev, duke shkaktuar 5 viktima.
Aeroporti Hostomel ka qenë skena e luftimeve të ashpra, sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW). Forcat ruse mbërritën pranë Obolon në periferi të Kievit të premten, ndërkohë që ka pasur raportime për luftime në veriperëndim të Kievit gjatë fundjavës.
Por deri më tani, nuk është raportuar për tanke dhe mjete të blinduara ruse në rrugët e kryeqytetit.
Sulme nga veriu
Trupat ruse që ishin drejtuar për në Kiev kaluan kufirin e Ukrainës në kryqëzimin midis Ukrainës, Rusisë dhe Bjellorusisë, në Senkivka. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të martën se pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse janë ende 30 km larg Kievit.
Kolonat e blinduara, përfshirë tanke dhe sisteme të shumta raketash janë përballur me rezistencën e forcave ukrainase, në Chernihiv Qyteti është goditur nga sulme të shumta ruse, por është ende në kontrollin e Ukrainës.
Ndërkohë trupata rus kanë përparuar në anën perëndimore të lumit Dnieper nëpërmjet Çernobilit, duke marrë nën kontroll një zonë të madhe në veri dhe perëndim të Kievit.
Sulme nga lindja
Ushtria ukrainase thotë se parashutistët rusë tani kanë zbarkuar në Kharkiv, pas bombardimeve ajrore gjatë ditëve të fundit. Të mërkurën, kryetari i bashkisë së qytetit tha se të paktën 21 persona kishin humbur jetën dhe ishin plagosur 100 të tjerë në sulmet ajrore.
Forcat ruse arritën të futeshin në Kharkiv të dielën, por hasën rezistencë nga forcat ushtarake të Ukrainës. Sipas raporteve të ndryshme, kanë vazhduar sulmet rreth Donetskut, i cili është sulmuar nga trupat që kalojnë nga Belgorod për në Rusinë perëndimore.
Besohet se janë rreth 15,000 separatistë të mbështetur nga Rusia në Donetsk dhe Luhansk, të cilët mund të ndihmojnë në përparimin e trupave rusë. Ukraina beson se shifra është më e lartë se sa është raportuar.
Luftime të ashpra janë raportuar gjithashtu rreth Sumy.
Sulme nga jugu
Forcat ruse nga Krimea, kanë përparuar në perëndim drejt Khersonit dhe në lindje drejt Mariupolit. Ministria e mbrojtjes tha se trupat ruse kishin hyrë në Kherson të martën mbrëma, duke marrë në kontroll qytetin.
Në Mariupol, porti kryesor i Ukrainës, ka pasur sulme të shumta ndërsa trupat rusë po përpiqeshin të rrethonin qytetin. Përparimi i trupave nga Mariupol në lindje do të krijonte një urë midis Krimesë dhe territorit të udhëhequr nga separatistët pro-rusë në Donetsk dhe Luhansk.
Disa ditë para pushtimit, Rusia vendosi anije të afta për të mbajtur tanke, automjete të blinduara dhe trupa ushtarakë, në Detin e Zi dhe Azov.
Mijëra ukrainas po largohen nga vendi
Që nga fillimi i pushtimit, më shumë se gjysmë milioni civilë janë larguar, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Bashkimi Europian vlerëson se deri në katër milionë njerëz mund të përpiqen të largohen nga vendi për shkak të agresionit rus.
Refugjatët po strehohen në vende, si Polonia, Rumania, Sllovakia, Hungaria dhe Moldavia.
/b.h