Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka dënuar sulmin e nisur nga Rusia drejt Ukrainës.
“Sapo kemi përfunduar bisedën tonë me Volodymyr Zelensky”, tha Biden në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga shërbimet e tij.
“Unë e dënoj këtë sulm të paprovokuar dhe të pajustifikuar nga ushtria ruse,” tha ai, disa orë pas fjalimit të homologut të tij rus Vladimir Putin që shpalli fillimin e “operacionit ushtarak” të Rusisë në Ukrainë. Biden theksoi gjithashtu se Volodymyr Zelensky i kishte kërkuar që t’u bënte thirrje “liderëve botërorë që të dënojnë pa mëdyshje sulmin flagrant të Presidentit Putin dhe të qëndrojnë pranë popullit të Ukrainës”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, duke njoftuar më herët se do të fliste për “pasojat” e operacionit për Rusinë dot do të mblidhet me homologët e tij të G7. Ai shtoi se Moskës do të vendosen sanksione më të ashpra se kurrë më parë. “Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë për Ukrainën dhe popullin ukrainas,” tha ai.
Kryeministri Boris Johnson thotë se është “i tmerruar nga ngjarjet e tmerrshme në Ukrainë” dhe se presidenti rus Vladimir Putin “ka zgjedhur një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi duke nisur këtë sulm të paprovokuar”. Ai shton se ka folur me presidentin e Ukrainës për të diskutuar se si të përgjigjet dhe premton veprime vendimtare nga MB dhe aleatët.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “e dënon fuqishëm sulmin e pamatur dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili vë në rrezik jetë të panumërta civilësh. Edhe një herë, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura dhe përpjekjeve të palodhura për t’u angazhuar në diplomaci, Rusia zgjodhi rrugën e agresionit kundër një vendi sovran dhe të pavarur”.
Sekretari Stoltenberg tha se sulmi është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake dhe të respektojë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës. Aleatët e NATO-s do të takohen për të trajtuar pasojat e veprimeve agresive të Rusisë, tha ai duke nënvizuar se aleatët qëndrojnë me popullin e Ukrainës në këtë kohë të tmerrshme. NATO-ja do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur të gjithë aleatët, tha sekretari Stoltenberg.
Kancelari gjerman, Olaf Ssholz, tha se sulmi rus në Ukrainë është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar. “Nuk ka asnjë justifikim për të. Gjermania e dënon këtë akt të pamatur të presidentit Putin me fjalët më të ashpra të mundshme. Solidarizohemi me Ukrainën dhe popullin e saj. Rusia duhet të ndalojë menjëherë këtë veprim ushtarak. Në kuadër të G7, NATO-s dhe BE-së, ne do të bashëkrendohemi nga afër sot. Kjo është një ditë e tmerrshme për Ukrainën dhe një ditë e zezë për Evropën”, shkroi kancelari gjerman.
g.kosovari