Një burrë turk që vrau katër gra në Belgjikë për ‘të pastruar nderin e familjes së tij’ tani ‘po shijon diellin, detin dhe plazhin’ në vendin e tij pasi u ekstradua për të përfunduar dënimin dhe u lirua menjëherë.
Shtetasi turk Osman Calli u dënua me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e katër grave në vitin 2004.
Ai u ekstradua në vendin e tij në vitin 2013 për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, por u lirua nga të gjitha akuzat në vitin 2020, sipas informacioneve të reja.
BBC Turkish tha se Calli kishte kryer vetëm tre vjet burg në vendin e tij.
Në mbrëmjen e 11 nëntorit 2004, Calli, i cili jetonte në qytetin belg të Gentit, vrau katër gra, duke përfshirë motrën e tij adoleshente e cila ishte shtatzënë.
Calli lidhi gruan e tij Teslime, 25 vjeç dhe motrën shtatzënë Hacer, 19 vjeç, në karrige dhe i qëlloi për vdekje përpara se t’u digjte trupat.
Më pas ai shkoi me makinë në shtëpinë e ish-gruas së tij Wendy Blendeman në Nieuwerkerken, pranë qytetit të Aalst, dhe qëlloi për vdekje atë dhe nënën e saj dhe plagosi Henri De Cooman, bashkëshortin e zonjës Blendeman.
Ndërsa po udhëtonte për në Gent, makina e Callit u prish dhe ai mori peng një grua, shoferin dhe plagosi një person tjetër pasi mbërriti në qytet.
Pas arrestimit të tij, autoritetet belge mësuan se ai kishte vuajtur 18 muaj pas hekurave për rrëmbimin e djalit të tij nga gruaja e tij belge.
Ai i tha policisë se i kreu vrasjet për të ‘pastruar nderin e familjes së tij’.
Calli u dënua me burgim të përjetshëm pas një gjyqi katër-vjeçar dhe kreu pesë vjet në Belgjikë përpara se të aplikonte për t’u kthyer në Turqi për të përfunduar dënimin e tij.
Ai u transferua në Turqi më 28 qershor 2013 dhe u hoq nga sistemi kriminal i Belgjikës vitin e ardhshëm.
Calli kaloi vetëm tre vjet në burg në Turqi përpara se të lirohej pjesërisht dhe më pas të lihej i lirë, sipas raporteve.
Calli, tani 63 vjeç, tha për median belge VTM News: “Po shijoj diellin, detin dhe plazhin këtu. Unë e kam kryer dënimin. Këtu kam filluar një jetë të re.’
Ai shtoi se partnerja e tij e re është në pritje të një djali dhe ai dëshironte të lihej vetëm në mënyrë që të mund të përshtatej me ‘jetën e tij të re’.
Familjet e viktimave dhe Ministria belge e Drejtësisë kanë kritikuar raportet për lirimin e vrasësit dhe kanë kërkuar përgjigje nga qeveria turke./m.j