Komisioni Hetimor për inceneratorët është mbledhur sërish ditën e sotme, ku do të vijojë marrja e dëshmive të administratorëve të Inceneratorëve të Tiranës e Fierit si edhe Sekretares së Përgjithshme e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kryetarja e këtij Komisioni, Jorida Tabaku tha se është thirrur sërish për të dëshmuar sot Administratorja e Inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra, teksa theksoi se në dëshminë e kaluar, më 14 shkurt, ka thënë të pavërteta. Tabaku u tregua e prerë teksa u shpreh se Kodra ka kohë deri në drekë të paraqitet, në të kundërt do t’i kërkohet Policisë që ta ccojë me forcë.
Tabaku i bëri thirrje edhe publike dëshmitares të paraqitet deri në mesditë ose në të kundërt do të shoqërohet me forcë përmes policisë.
“Do i kërkoja komisionit të vendosemi në kontakt me zonjën Vjola Haxhiademi që të mos humbim kohë. Sapo zonja të vijë, ne do mblidhemi në punë në komision. Siç vepruam herën e kaluar, pavarësisht pengesave, ju tregoj angazhimin e plotë për dëshminë. Bëjmë pak pushim për komisionin. I kërkoj stafit të dërgojë një shkresë tjetër për zonjën Ariola Kodra. Në të kundërt, në drekë po ju informoj se do i kërkoj policisë së shtetit që ta shoqërojë zonjën këtu me forcë” – tha Tabaku.
Më herët Tabaku tha se komisioni është vënë në dijeni të lidhjeve të hershme që kompanitë e Arjola Kodrës kanë me pronarët e inceneratorëve.
g.kosovari