Presidenti i vendit Ilir Meta ka bërë një rezyme të betejave politike dhe ligjore të fituar prej tij.
I ftuar në emisionin Dekalog, Meta është shprehur se ai është një person që nuk shkon nga fryn era, apo nga është interesi i afërt, por është njeri i betejave dhe gjithmonë shikon pak më larg se interesi momental.
Pas një renditje kronologjike të betejave të bëra prej tij, Meta u ndal tek situata aktuale, ku theksoi se problem ka qenë dhe mbetet opozita inekzistente.
“Ke harruar shumë beteja, ca dhe i ke keqinterpretuar aty. Unë pa beteja nuk jetoj dot, është edhe origjina. Janë beteja të drejta e para. E dyta, unë nuk jam një politikan apo qytetar që shkon nga frynë era, nëse shumë qytetar shkojnë andej nga është interesi, apo nga është fitorja, unë jo.
Isha student i shkëlqyer në ekonomi politike dhe më luteshin pedagogët, hajde tani të hysh në parti që ta kemi të lehtë të të mbajmë pedagog. Mua më vinte për të qeshur, pastaj u angazhova me lëvizjen e dhjetorit. Isha në raporte shumë të ngushta me Gramoz Pashkon i cili ishte një figurë shumë e rëndësishme.
Isha shumë aktiv me Partinë Demokratike, më pas kur të gjithë shkonin nga PD-ja unë u angazhova me rininë eurosocialiste.
Për një gjë jam shumë krenar që kam patur një koherencë të jashtëzakonshme në çdo rast. Dhe LSI-në e krijova si një revoltë ndaj shkatërrimit që po i bënte kryetari i Partisë Socialiste integrimit europian. Kur pashë që Nano po e degradonte këtë proces krijova LSI-në. Gjithmonë jam përpjekur të bëj më të mirën, nuk jam prekur nga interesat e momentit dhe kam parë pak më larg.
Kushtetuta i bashkon të gjithë, pavarësisht origjinës dhe fesë që kemi. Për mua ajo që mbetet e shenjtë është Kushtetuta.
Problemi kryesor për mua ka qenë dhe ngelet opozita e cila ka qenë inekzistente, por këtu nuk mund të lë pa faj maxhorancën kur nuk plotëson kushtet për votuesit të cilët i kanë dhënë votën për të drejtuar”- tha Meta./m.j