Operacioni ndërkombëtar i Europol në luftën ndaj trafikut të drogës ka nxjerë në dritë edhe emra të tjerë të botës së krimit. Pas arrestimeve të bujshme në disa vende të Evropës, ku janë goditur banda të fuqishme shqiptare, ka dalë në sipërfaqe edhe emri i bosit shqiptar të trafikut ndërkombëtar të drogës Artur Shehu.
Sipas medias investigative, OCCRP, Artur Shehu ka dyshime se është pjesë e grupit mafioz italian, Sacra Corona Unita. Për këtë shkak, Shehu mendohet se ka arritur të bëjë kaq shumë pasuri, sa të ketë vilë personale në një nga zonat më të mira të Majemit. Gjithashtu ai konsiderohet si një nga figurat kryesore të klanit shqiptar të trafikut të drogës, të vëllezërve Osmani.
Sipas mediave italiane, një nga detyrat e Artur Shehut ka qenë pastrimi i një pjese të të ardhurave të mëdha që klani Osmani përfitonte nga trafiku ndërkombëtar i kokainës që vinte nga Amerika e Jugut dhe shkonte vendeve evropiane përmes portit të Hamburgut në zonën e Pratos, ku edhe klani Osmani zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë disa dhjetëra milionëshe. Ky grup kriminal njihet gjithashtu edhe për shfrytëzim prostitucioni.
Ata kanë pasur nën kontroll kazinotë dhe shtëpitë publike të Pragës. Mediat italiane shkruajnë se kjo është një organizatë kriminale e nivelit shumë të lartë që i referohet vëllezërve Qazim (me nofkën Feliks), Burim, Bekim dhe Bashkim Osmani të cilët u goditën nga operacioni i fundit i inteligjencës së Europol “Shqiponja e zezë”.
Operacioni i përbashkët përfshiu autoritetet policore dhe gjyqësore të shtatë vendeve dhe bëri të mundur çmontimin e organizatës mafioze “Osmani” e cila merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave. Në operacionin e para dy ditëve u kryen gjithsej 80 kontrolle, u arrestuan 45 persona, u kapën drogë, armë dhe sende me vlerë afërsisht deri në 2 milionë euro.
Gjithashtu, kjo organizatë kriminale menaxhonte trafikun me shumicë të kokainës nga Amerika Latine me transport detar dhe ajror ku destinacion kishin vendet e Evropës. Spanja dhe vende të tjera të BE-së u përdorën më pas për operacione komplekse të pastrimit të miliona eurove të përfituara nga trafiku i drogës.
Grupi i rrezikshëm kriminal i tipit mafioz kishte krijuar një sërë kompanish në Majorka të Spanjës, Gjermani dhe Kroaci. Ata pastronin shumë të mëdha të paligjshme, duke përdorur emra të tjerë, pajisje komunikimi të koduara dhe duke udhëtuar në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi.
Ky operacion i përbashkët është rezultat i një hetimi ndërkombëtar që përfshiu Departamentin e Hetimeve Anti-Mafia (Dia) dhe Forcat Policore të Belgjikës, Spanjës, Gjermanisë, Holandës, Kroacisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë./m.j