Dorina Alla, 39-vjeçare shqiptare mama e dy fëmijëve të vegjël, u vra në Prill të vitit të kaluar nga bashkëshorti i saj. Gëzim Alla, 52 vjeç, e goditi disa herë më çekiç në kokë. Përveç kësaj, shqiptari e ka goditur disa herë edhe në bark, duke mos i dhënë asnjë mundësi gruas që t’i shpëtonte dhunës shtazarake.
52-vjeçari u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe rrëfeu krimin. Tashmë, në ditët e para të Marsit, ai do duhet që të dalë në gjyq. Zv/prokurorja e çështjes e cila ka mbyllur hetimet paraprake ka kërkuar nisjen e procesit gjyqësor për muratorin, i cili në Shqipëri kishte punuar edhe si polic.
Përgjatë këtyre muajve, Gëzim Alla është pyetur për të sqaruar pozitën e tij dhe për të dhënë dëshminë se çfarë ndodhi të dielën 18 Prillit.
“Di që po vendosja një tavolinë në garazh”, ka shpjeguar muratori, i cili qëndron në qelitë e burgut në Vicenza. Ai ka thënë se para incidentit tragjik ka pasur një debat me bashkëshorten. Sipas hetimeve shkak i debatit është bërë marrëdhënia e tyre martesore.
“Më shaue më tha që jam plehrë dhe më pështyu. Nuk e kujtoj dot nëse ishim në garazh apo kuzhinë, por ajo që ndodhi më pas është fshirë nga mendja ime”, ka shpjeguar 52-vjeçari.
Avokatja e shqiptarit ka kërkuar që t’i bëhet një vlerësim psikiatrik, por kjo nuk është lejuar.
2 djemtë e Gëzim Allës, 13 dhe 10 vjeç, nuk i flasin më babait. Ndërkohë ai akuzohet për vrasje me dashje. Prokuroria thotë se rrethanat ndaj shqiptarit janë rënduese sepse ai ka vijuar ta godasë disa herë fort të shoqen edhe pse ajo ishte në tokë e pamundur për të mbrojtur veten, ndërsa fëmijët ndodheshin në dhomën tjetër dhe dëgjonin gjithçka.
Autoritetet kanë mundur që t’i marrin dëshmitë edhe fëmijëve.
Ditën e vrasjes dy djemtë kanë dëgjuar të bërtiturat e nënës së tyre. Të njëjtat britma i kanë dëgjuar edhe fqinjët. Të frikësuar, fëmijët kanë shkuar në një prej dhomave dhe kanë marrë në telefon një kushëri, pasi djali i madh kishte celular. Kur karabinierët shkuan në vendngjarje, nuk kishte asgjë çfarë të bënin për t’i ardhur në ndihmë gruas.
“Godita gruan, ndoshta ka vdekur”, u ka thënë autori policëve në telefon. Sipas autoriteteve Gëzim Alla e vrau Dorina Allën pasi e ka goditur nga mbrapa në kuzhinë, ku gruaja ishte futur për të shpëtuar.
/a.r