Ditën e sotme është mbledhur Komisioni Hetimor për Inceneratorët. Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku ka thënë se do të ketë padi për të gjithë zyrtarët e lartë që nuk u kthejnë një përgjigje në kohë shkresave të komisionit.
“Një javë më parë pasi u mbajtën dy javë nga sekretarja e komisionit, janë nisur disa shkresa me datën 04.02.2022 për; kryetarin të Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj, ministres së Mjedisit znj.Mirela Kumbaro, ministres së Infrastrukturës znj. Belinda Balluku, ministres së Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave z.Engjell Agaçi, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit znj. Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve z.Ceno Klosi, drejtore e Përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit znj. Pranvera Fagu, z.Arben Shehu kryetar i KLSH-së, znj.Brunilda Lilo avokate e Përgjithshme e Avokaturës së Shtetit dhe znj.Ledia Tota drejtor e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Dua të njoftoj komisionin se sot 7 ditë pasi janë nisur, 5 ditë punë dhe 7 ditë kalendarike nuk kemi përgjigje. Do t’i kërkoja ekspertëve të komisionit dhe specialistëve të komisionit të ngrejnë një padi për këdo që nuk kthejnë një përgjigje brenda kohës. Rruga e butë ka përfunduar në këtë komision. Ju lutëm për këdo që nuk ka kthyer përgjigje brenda ditës të bëjë një padi për këto persona. Shumë e rëndësishme përgjigja e drejtorisë së Tatimeve, e theksoj. Një pjesë tjetër se një pjesë tjetër edhe mund t’i kemi këtu si dëshmitar në komision”, tha Tabaku.
Gjatë seancës së sotme, Tabaku ka sqaruar kërkesën e PD bërë më parë për shtyrjen e afatit të punimeve të komisionit me 2 muaj.
“Kemi bërë kërkesë për shtyrjen e punimeve të komisionit hetimor me dy muaj. Kërkesa është bërë që në datën 20.12.2021 drejtuar Kuvendit. Këtë kërkesë ne e diskutuam në 19 janar por nuk patë vullnet politik. Ky është një sqarim i bërë për të kundërshtuar gojët e liga që flasin pa ditur faktet e prova për punën e Komisionit Hetimor të trajtimit të mbetjeve. Interesi publik ishte për të ditur nëse kemi kërkuar apo jo shtyrjen e afatit të Komisionit Hetimor dhe kjo kërkesë është bërë.”
Në mbledhjen e ditës së sotme po shqyrtohet dokumentacioni lidhur me impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Tiranës. Rreth orës 12:30 është parashikuar që deputetët të kryejnë një vizitë në impiantin e Tiranës.
/a.r