Nga Eduard Zaloshnja
Në zgjedhjet e 2009-ës, treni elektoral me 36 vagona i Berishës arriti të prodhojë vetëm 70 mandate parlamentare. Atij iu shtua pas zgjedhjeve edhe vagoni LSI, për të arritur në kuotën e 74 votave në Kuvendin e Shqipërisë.
Shumë votues të djathtë e mbyllën hundën atëherë, për të mos nuhatur erën “neokomuniste” të LSI-së në koalicionin e djathtë qeverisës. Sidoqoftë, ata nuk e patën fort problem të votonin dy vjet më vonë për kandidatët lokalë të koalicionit kuqeblu PD-LSI-Etj. Duke prodhuar kështu plot 810 mijë vota për atë koalicion në rang kombëtar, e duke barazuar me vota PS-në në Bashkinë Tiranë (bastion i Ramës qysh nga viti 2000).
Pas katër vjetësh bashkëqeverisje me PD-në, LSI-ja u rikthye në habitatin e saj natyral – tek koalicioni i majtë – duke i dhënë 180 mijë shuplaka Berishës (ndër 1 milionë shuplakat që ky mori më 2013). Pas atyre shuplakave, u duk sikur mardhënia Berisha-LSI kishte marrë fund. Por zhvillimet e mëvonshme treguan se ajo do të vazhdonte – diku hapur e diku jo dhe aq hapur…
Me regjistrimin aktual të kandidatëve të Berishës nën ombrellën zyrtare të LSI-së (për zgjedhjet e pjesëshme të 6 marsit), u rikthye publikisht aleanca Berisha-LSI (pavarsisht se LSI-ja nuk ka asnjë kandidat të deklaruar të saj në këto zgjedhje). Gjëja që ka të përbashkët kjo alenacë është synimi për të demonstruar se elektorati opozitar është me Berishën dhe LSI-në, e jo me PD-në zyrtare të Bashës.
Në fakt, votuesit opozitarë të 6 bashkive e dinë se Bardh Spahia, Ardian Muka, Elton Bano, etj. janë pd-istë, e jo lsi-stë. Dhe për ta ka rëndësi parësore fakti që këta kandidatë janë të fraksionit të Berishës. Gjithashtu ka rëndësi për ta fakti që kandidatët e tjerë të djathtë janë kandidatë të PD-së zyrtare të Bashës.
Për votuesit opozitarë s’do të ketë ndonjë vlerë të madhe se kush do të drejtojë 6 bashkitë për vetëm 12 muajt që mbeten deri në zgjedhjet lokale të 2023-shit. Ata, me shumë gjasa, do të votojnë me idenë për të përcaktuar se kush do të ketë primatin e opozitës pas 6 marsit – Basha apo Berisha. Njëri i përkrahur hapur nga Uashingtoni, e tjetri i shpallur non-grata prej tij…
Në këto kushte, duket se 6 marsi do të regjistrojë ndarjen më të theksuar të sinorit elektoral opozitar, qysh kur opozita u legalizua më 1990…