Në vitin 2021, të dhënat mbi tregtinë e jashtme tregojnë për një rritje jo të zakontë të importit të perlave dhe gurëve të çmuar, me gati mbi 80% në krahasim me vitin 2020 dhe gati 100% në krahasim me periudhën parapandemike, vitin 2019.
Gjatë vitit të kaluar, importet e perlave dhe gurëve të çmuar shënuan rritje si në vlerë dhe sasi. U importuan gjithsej 3,6 miliardë lekë (29,2 milionë euro) bizhuteri të çmuara. Siç shihet nga të dhënat, rritja u reflektua edhe në sasi, ku rezulton të jenë importuar 213 tonë perla dhe gurë të çmuar, gati më shumë se dyfishi i vitit 2019, kur u importuan 38 tonë.
Aktorët kryesorë të tregut pohuan se, kriza pandemike dhe krizat në përgjithësi rrisin interesin e disa personave për të investuar një pjesë të kursimeve në sende me vlerë.
Por kriza pandemike, e cila ishte e pazakontë nga natyra, për shkak të masave bllokuese në lëvizje nxiti dëshirën e njerëzve për te konsideruar zotërimin e bizhuve të çmuara si një mjet antistres gjatë pandemisë.
Zhvillime të njëjta kishte edhe në tregjet ndërkombëtare. Tregu i perlave dhe bizhuterive pa një rritje jo të zakontë të shitjeve sidomos gjatë festave të fund vitit.
Konsumatorët mundën të blejnë artikuj të çmuar, pasi arritën të kursejnë nga udhëtimet dhe veshjet gjatë pandemisë.
Shumë njerëz punuan në distancë, teksa për t’u ndier mirë në vend të veshjeve, konsumit të vakteve në restorante dhe udhëtimeve nisën të blejnë bizhuteri me vlerë. Kjo sjellje ishte gati e njëjtë kudo në botë.
Gjithashtu kompanitë e njohura të bizhuterive janë duke ofruar çmime më stimuluese, pasi po zhvillohet ndjeshëm prodhimi diamanteve në laborator, të cilët janë mjaft të pëlqyeshëm nga të rinjtë që janë më miqësorë ndaj mjedisit.
Tregu po rritet edhe prej tendencave të tilla, pasi edhe djemtë po preferojnë unazat e fejesës me diamant./ Monitor.al