Partia Demokratike vijon që të informojë ndërkombëtarët për situatën që ndodhet pas konfliktit të thellë me Sali Berishën dhe protestës së dhunshme në datë 8 Janar në selinë e PD-së. Në raportin e fundit të datës 17 janar, që selia blu u ka dërguar ndërkombëtarëve theksin kryesor e vendos sërish të tubimi që degjeneroi në dhunë dhe vendimet e gjykatave.
“Gjykata evidentoi qartë faktin se PD nuk ka përdorur asnjë forcë apo dhunë” thuhet në raport. “Është konstatuar se pas inspektimit nga institucionet ligjzbatuese nuk ka pasur mjete apo lëndë ilegale që të jetë përdorur nga brenda selisë” vijon më tej raporti.
“Berisha deklaroi se “pretendimet e mia janë të vërteta sepse askush nuk mund të më kundërshtojë” citon PD-ja zyrtare ish-kryeministrin, pasi dha dëshminë në prokurori. “Ai hodhi disa akuza duke përdorur një gjuhë të një të djathti ekstrem” thotë PD për liderin historik, që tashmë është përjashtuar nga partia.
Në pjesën e dytë të raportit PD informon ndërkombëtarët për punën në komisionet hetimore dhe akuzon shumicën socialiste për bllokim. “Puna e komisioneve hetimore vijon të jetë e bllokuar nga mazhoranca. PS nuk pranon të miratojë planin e punës së komisionit hetimor të inceneratorëve. Kuvendi ka ngritur një komision të posaçëm Hetimor për Inceneratorët me kërkesë të Partisë Demokratike”.
Në fund, PD thekson se Gjykata e Tiranës ka liruar katër personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të mbi 690 mijë shqiptarëve.
“Gjyqtari (që liroi të arrestuarit) ka qenë më parë kreu i Gjykatës së Lushnjës në vitet 2000 (kohën e bandës së Lushnjës). Ai ishte gjithashtu subjekt i një rasti të vitit 2006 për shkelje të detyrës dhe parregullsi në deklarimin e pasurisë por çështja është pushuar” mbyllet raporti.
Në raport ndër të tjera thuhet:
Kryesia vendosi të:
“1. Dënojë ashpër aktet e dhunës, gjuhën përçarëse dhe retorikën që nxisin konflikt mes anëtarëve të PD-së
2. Përjashtimin nga PD dhe sipas rastit nga të gjitha funksionet ekzekutive dhe nga grupi parlamentar të PD-së, të anëtarëve që kanë organizuar, nxitur, urdhëruar apo ushtruar dhunë të deputetit Sali Berisha dhe të tjerëve ish përfaqësues të PD-së. Gjithashtu ftoj përfaqësuesit e tjerë të PD-së që të distancohen publikisht nga aktet e dhunës kundër PD-së dhe veprimeve që dëmtojnë interesat e partisë elektorale apo politike të PD-së.”
Në raport përmendet edhe rasti i dhunës së ushtruar ndaj Roland Bejkos, duke u shprehur se protesta nuk ishte paqësore.
“Përmes dëshmive është përgënjeshtruar pretendimit i Sali Berishës se protesta ishte paqësore”, thuhet në raport.
Ngjarjet janë evidentuar edhe me pamje dhe video, që tregojnë dhunën e ushtruar ndërsa janë pasqyruar edhe me artikujt e mediave të huaja./m.j