Mungesa e drejtësisë për vrasjen e Aleks Nikës bashkë me 3 protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, 11 vite më parë në bulevardin dëshmorët e kombit, e ka shtuar dhimbjen për familjarët.
Në këtë 11 vjetor, gruaja e Aleksit, Rajmonda Nika dhe xhaxhai i tij Mark Nika kanë mbërritur në Tiranë ku do të zhvillohen homazhe në nderim të viktimave. Në një prononcim për gazetaren e abcnews.al Beklie Koltraka, Mark Nika thotë se me vete mbartin të njëjtat emocione si ditën kur plumbat i morën jetën Aleksit. Bashkë me dhimbjen edhe etja për drejtësi është shtuar. Në të njëjtën kohë, sipas xhaxhait të Aleksit, beteja bëhet më e vështirë edhe përballë atyre që duan ta mbyllin çështjen.
“Në vijmë në Tiranë për përkujtimin e Aleksit. Sot pas 11 vitesh janë të njëjtat emocione si ditën kur u vra, s’ka asnjë zhvillim të ri në dosje. Dosja në prokuroi ende s’ka veprime. Kërkojnë ta mbyllin çështjen, por ne nuk do ta lejojmë. Kjo është përpjekja jonë për të rifilluar hetimin që vrasësit të shkojnë para drejtësisë. Sot ndiejmë të njëjtat emocione, dhimbja rëndon dhe vepron më shumë. Duhet të ishte prioritet i parë i drejtësisë kjo çështje. As fashizmi s’i ka bërë këto krime. Gjejnë justifikme. Ne duam vetëm drejtësi. Çështja t’i kaloje SPAK, SPAK të vihet në funksion”, tha Mark Nika për abcnews.al
“Kërkojmë atë që kemi kërkuar për 11 vjet dhe që s’ka ndodhur. Asgjë e re deri tani pas rihapjes se hetimeve“, shtoi Rajmonda Nika.
Pas 10 vitesh nga protesta ku humbi jetën Aleks Nika nisur nga fakti që vrasjet kanë mbetur pa autor, familjarët e tij iu drejtuan Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ku kanë paditur shtetin shqiptar se nuk ka kryer hetime efektive. Gjykata Europiane e ka pranuar padinë ndërsa Mark Nika thotë se çështja është ende në gjykim.
“Çështja sipas informacioneve që kam është ende në gjykim. Dokumentet janë të plota por kanë procedura, ecin sipas procedurave”, shtoi ai, për abcnews.al
Drejtësia është dhe do të jetë kryefjalë e familjarëve të Aleks Nikës derisa ta arrijnë.
“Qeveria s’merret me hetime, por është angazhuar ta nxisë hetimin. Kemi kërkuar që çështja të kaloje në SPAK, sepse ka zvarritja nga prokuroria. Ajo ngelet përsëri te një oficer i policisë gjyqësore të Tiranës. Kryeministri na ka ftuar sot në ceremoninë përkujtimore dhe aty do të japim mendimet tona në lidhje me zvarritjen e hetimeve”, përmbylli Mark Nika.
11-vjetori i protestës së përgjakshme shënohet sot. Gjithçka nisi rreth orës 14:00 , kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para objektit të Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit. Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të Kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikën. /abcnews
g.kosovari