Në dyert e vaksinatorëve antiCovid shikon vetëm të rritur dhe të moshuar. Ndërsa prindërit vaksinohen, fëmijët e tyre vazhdojnë t’i mbajnë larg këtij procesi.
Të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik na tregojnë se vetëm 1% e grupmoshës 12-15 vjeç me sëmundje imunitare dhe 3% e 16-17 vjeçarëve janë vaksinuar deri më tani. Kur shifrat e infektimeve po rriten ndjeshëm tek kjo grupmoshë, mjekët apelojnë për vaksinim.
“Vaksinimi i fëmijëve është një pikë që duhet konsideruar dhe nuk duhet neglizhuar nga prindërit. Në përgjithësi përqindja është e ulët, ka një skepticizëm tek prindërit”.
Duke argumentuar se efektet anësore të vaksinimit janë minimale dhe të rikuperueshme shpejt, Kule thotë se komplikacionet e Covid-19 mund të jenë të rrezikshme pavarësisht shëndetit të fëmijës.
“Vërtetë komplikacionet mund të jenë të pakta por ne nuk e dimë kur ndodhin, ku ndodhin dhe në çfarë subjektesh ndodhin, sepse në komplikacionet e rënda qe ne kemi pasur tek fëmijët kanë qenë fëmijë të shëndetshëm të pasëmurur ndonjëherë. Sindromi multi-inflamator sistemik është parë tek ata fëmijë që s’kanë patur asnjëherë asnjë sëmundje të ditur”.
Ndryshe paraqitet situata tek të rinjtë e moshës nga 18 deri në 24 vjeç. 30 % e kësaj grupmoshe e ka aplikuar 1 dozë të vaksinës, ndërsa 24% ka bërë dy doza.
Me rritjen e moshës rritet edhe përqindja e vaksinimit, ku në grupmoshën mbi 60 vjeç arrin deri në 75% më të dyja dozat.
/a.r