Së paku tre fëmijë afganë janë vrarë pasi që një mortajë e ka goditur një shkollë në lindje të Afganistanit.
Ministria afgane e Arsimit, përmes një deklarate të lëshuar sot, njoftoi se tetë nxënës të tjerë të shkollës së mesme, janë plagosur nga sulmi në provincën Khost.
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Rajoni Khost që gjendet në kufi me Pakistanin, kohëve të fundit ka qenë i qetë, ndërsa në prill dhe korrik të vitit të kaluar dhjetëra persona janë vrarë si rezultat i dy sulmeve vetëvrasëse.
Sulmi në Khost ka ndodhur në ditën kur zyrtarët nga Afganistani, Pakistani, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, janë takuar në Islamabad në kuadër të përpjekjeve për paqe dhe për t’i dhënë fund luftës 15 vjeçare.