Mbledhja e ekspertëve të maxhorancës dhe atyre ndërkombëtarë ka vijuar këtë të hënë në kryesinë e kuvendit, në atë që pritet të jetë dita e fundit e punimeve për krijimin e drafit të reformës, i cili do t’i dorëzohet më pas komisionit të posaçëm, me apo pa pjesëmarrjen e opozitës.
Ekspertja e çështjeve konstitucionale Aurela Anastasi tha për median se kërkesa e opozitës praktikisht kërkon ngritjen e një formule bllokuese për emërimet e zyrtarëve të lartë në sistemin gjyqësor. Anastasi tha se përpjekjet e bëra nga ekspertët kanë të bëjnë me gjetjen e një formule kushtetuese funksionale, që reforma në gjyqësor të bëhet e zbatueshme.
“Mekanizmi zhbllokues mund të gjendet, problemi është që të bëjmë një formulë kushtetuese që të funksionojë… një nga problemet që kemi trajtuar ka qenë çështja e bllokimit të emërimeve, ne nuk mund të krijojmë një tjetër formulë që të bëjë bllokimin e emërimeve. Ne jemi në punë e sipër me qëllim që të bëjmë një draft të përbashkët, për këtë po luftojmë.”- tha Anastasi.
Sakaq opozita nuk ka marrë pjesë në këto punime, me argumentin se nuk ka qenë e njoftuar për mbledhjen. Më tutje, ekspertët e opozitës për reformën në drejtësi kanë patur një takim me kreun e PD Lulzim Basha dhe pas bashkëbisedimit janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen tek kryesia e kuvendit.
Ngërçi mes opozitës dhe maxhorancës ka të bëjë me pozicionet respektive në lidhje me formulën e votimit të zyrtarëve të lartë të Këshillit të lartë të Drejtësisë, anëtarëve të Gjykatës së lartë dhe instancave të tjera të larta. Maxhoranca kërkon që këta zyrtarë të zgjidhen me 3/5 e votave të parlamentit, me 84 vota ndërsa opozita kërkon një formulë të votimit kushtetues, me 2/3 e votave, pra me 93 kartona.