Gazeta “Financial Times” i ka kushtuar një artikull sopranos Ermonela Jaho, me till “Ylli i operës, nga Shqipëria komuniste në Nju Jork”. Jaho ka folur për vështirësitë e fëmijërisë në regjimin e Enver Hoxhës, Tiranën e asaj kohe dhe se si nisi një jetë krejtësisht të re në Amerikë.
“Zëri kumbues i paraprin asaj që nga dhoma e provave. Ermonela Jaho është në Londër, ku po përgatitet për operan ‘Zazà’ të Leoncavallos”, shkruhet në artikull. “Është shumë e trishtuar”, thotë sopranoja më vonë. “Kur Zaza këndon për fëmijërinë e tij pa nënë e baba, më kujton gjithë eksperiencën e nënës sime”. Jaho ka lindur në 1974-ën në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe u transferua në Tiranë së bashku me prindërit kur ishte 2 vjeçe. Mamaja e saj, e cila ishte braktisur nga prindërit dhe ishte rritur nga gjyshja, dëshironte të bëhej këngëtare dhe në fshehtësi mori pjesë në audicionet e Konservatorit të Tiranës, ku ajo fitoi një vend”, tregon Jaho. “Që fëmijë, e kisha parë dhimbjen në sytë e saj, por nuk e kuptoja shkakun e pikëllimit”, shprehet ajo për nënën e saj. Jaho ka trashëguar jo vetëm dashurinë e nënës për muzikën, por edhe sensin e saj të melankolisë. “Shqiptarët, – thotë ajo, – janë përgjithësisht të pasionuar pas këngës, por ajo ishte një fëmijë i ndrojtur”.
“Unë e mbaja gjithçka brenda”. Motra e saj me aftësi të kufizuara ishte shoqja më e mirë. “I vetmi moment kur u ndjeva e lirë ishte kur po këndoja. Ishte terapia ime”, thotë Jaho. E frymëzuar nga i ati, një ushtarak që kishte studiuar psikologji, Jaho hyri në Konservator në moshën 17-vjeçare, pasi fitoi pikët maksimale në provimin pranues. Aty mori mësime nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli, e cila e ftoi atë të studionte në Mantua, Lombardi për dy muaj. Jaho shkoi në Itali në vitin 1993 dhe qëndroi aty për 10 vitet e ardhshme. “Nuk doja të kthehesha”, thotë ajo. “Italia është shtëpia e muzikës. Në Shqipëri në periudhën e komunizmit, çdo gjë këndohej në shqip, pasi mund të përfundoje në burg nëse këndoje në gjuhë tjetër. Mamaja ime më mësoi pak anglisht kur isha e vogël, por në fshehtësi”. Më tej, Jaho ndoqi Akademinë prestigjioze Kombëtare të Santa Secilias në Romë. Që të mbante veten gjatë studimeve ajo punoi si ndihmëspastruese, dhe pasi fitoi një konkurs këndimi, u zhvendos në një hostel që drejtohej nga murgeshat. “Ndonjëherë nuk kisha para për ushqime, por kurrë nuk ia thashë njeriu”, tregon ajo. “E kuptova që për të arritur ëndrrën time, duhej të bëja sakrifica. Ermonela, i thashë vetes, ti duhet t’i kalosh këto pengesa”. Një tjetër pengesë ishte të qenit shqiptare.
“Ti ishe bërë për t’u ndjerë si një qytetare e klasit të tretë”. Pasi u bë e famshme, ajo vuri re që gjërat ishin ndryshe. “Çdokush dëshiron të jetë shoku yt”. Kulmi i Jahos erdhi kur asaj iu ofrua një pjesë e Mimit në premierën e ‘La Boheme’ në Bolonja. Rolet filluan të shtoheshin dhe pasi përfundoi studimet në vitin 2000, ajo vendosi të largohej nga qyteti. Ishte kjo kohë kur shoku i saj i fëmijërisë, Ervin Stafa, i shkoi për vizitë nga Nju-Jorku dhe i kërkoi që të ktheheshin bashkë në SHBA. “Unë jam rritur me Ervinin në Shqipëri”, thotë ajo për bashkëshortin e saj tashmë. “Ai ishte i vetmi person me të cilin mund të flisja dhe që s’më gjykoi kurrë. Kur ika në Itali, i thashë: ‘Nëse një ditë do të martohem me dikë, ai do të jesh ti’. Mendoj se kjo e frikësoi atë. Pastaj ai fitoi lotarinë për kartën jeshile në Amerikë dhe unë do të gjeja çdo justifikim që t’i shkruaja nga Italia”. Jaho ishte paksa e rezervuar sa i përket zhvendosjes në Nju-Jork. “Unë kisha luftuar shumë fort për të bërë karrierë, dhe kisha frikë se mos e humbja atë”, rrëfen ajo. Alan Green, i cili në atë kohë punonte në Agjencinë e talenteve “Menaxhimi i artistëve kolumbianë” në Nju Jork, shkoi që ta dëgjonte atë në operën “Carmen”. Jaho kishte qenë pjesë e disa operave baroke dhe komike e ishte duke kërkuar një repertor më romantik. Green i ofroi që të ishte ai menaxheri dhe të kapte rolet që ajo dëshironte.
“Ai më dha shpresë, pasi unë nuk do të mund t’ia kisha filluar nga zeroja në Nju-Jork”. Jaho bëri zhvendosjen e saj transatlantike në 2003-shin, fillimisht duke e ndarë kohën mes Nju-Jorkut dhe Italisë. Udhëtimi me pasaportë shqiptare ishte i vështirë, kështu që çifti vendosi të martohej. Në 2005-ën ata blenë një shtëpi në Long Island, ku ende jetojnë me prindërit e Ervinit. Jaho vazhdon ta vizitojë familjen e saj në Shqipëri, ndërsa jep shfaqje për fëmijët me aftësi të kufizuara “sepse ndihem fajtore që nuk munda ta ndihmoja motrën time kur po rriteshim së bashku”. Pengu i saj më i madh është fakti që e ëma nuk e dëgjoi atë kurrë duke kënduar ‘live’.
“Unë shkoja në Shqipëri, por vendi i saj ishte gjithmonë bosh”. Jaho mendonte se nëna e saj nuk mund ta shikonte duke kënduar në skenë, për shkak të ambicieve të saj të parealizuara, por humbi mundësinë për ta pyetur. “Unë u mundova t’i shkruaja për ta pyetur përse, t’i thosha sa shumë e doja atë dhe motrën, por ajo vdiq para se unë t’i dërgoja letrën”, rrëfen sopranoja. Kur është në Amerikë, ajo e shijon jetën familjare, i pëlqen të gatuajë dhe të qëndrojë në shtëpi në vend që të dalë. “Unë kam bërë shumë miq në Amerikë, jashtë punës”, thotë ajo teksa u referohet mungesave të saj të shpeshta. “Long Island është një botë më vete, shumë paqësore. Aty ke oqeanin, dhe të gjitha ngjyrat e natyrës. Me të gjitha angazhimet ndërkombëtare, unë mund të kaloj vetëm disa muaj këtu, por është shtëpia dhe Ervini më pret”, shprehet Jaho. “Në Amerikë, – thotë ajo, – njerëzit janë më të shkëputur, ata jetojnë si ishujt. Në Europë, dhe veçanërisht në Ballkan, njerëzit janë më të hapur dhe emocionalë. Por qeniet humane janë pothuajse njësoj kudo. Unë marr më të mirën nga çdo vend dhe jetoj jetën plotësisht”, thotë Ermonela Jaho.