Për herë të parë disa rrugë do të pagëzohen me emra martirësh, mbi të cilat do të kalojnë e pikëtakohen gjenerata të ndryshme. Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, me rastin e 109-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit është shprehur se pas kësaj ceremonie, jo vetëm në Tiranë, por në disa qarqe të vendit, disa rrugë që nga sot e tutje, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe mbështetje të pushtetit vendor, do të pagëzohen me emrat e policëve të rënë.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Policia e sotme nga ajo e dikurshme ka ndryshuar tepër. Ky transformim nuk erdhi rastësisht dhe s’mund t’i përkasë inercisë. Ajo u farkëtua mbi përkushtimin, profesionalizmin, atdhedashurinë dhe sakrificat e disa brezave.
Sot kemi një Polici më të arsimuar, më të trajnuar, të mirëpajisur me logjistikë dhe në një moshë më të re, por mbi të gjitha me mentalitet e filozofi në të mirë ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Policia e Shtetit në këtë 109-vjetor vjen e motivuar nga besimi i qytetarëve, të cilët besojnë dhe mbështesin Policinë e tyre duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit për të krijuar një ambient social më të sigurt për fëmijët tanë.
Policia e Shtetit është në krah të partnerëve, duke dhënë e duke marrë besim të ndërsjellë, e mbi të gjitha e barabartë. Ajo ka realizuar qindra operacione kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Bazuar në këta tregues, Policia e Shtetit aderon në shumë agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe të gjitha këto i ka fituar me shumë mund, përkushtim e vetëdije të plotë për protagonizmin e saj në shoqërinë e sotme.
Historia 109-vjeçare e tregon qartë sakrificën e punonjësve të Policisë, pasi gjatë këtij rrugëtimi, Policia e Shtetit shënon edhe numrin më të lartë të të rënëve në krye të detyrës.
Në një datë si kjo, kur jo vetëm Policia e Shtetit, por mbarë vendi nderon rolin dhe kontributin e kësaj strukture të rëndësishme që synon e përpiqet të garantojë normalitetin në vijimësinë e jetës dhe veprimtarisë shoqërore, të gjithë përulemi para jetës dhe veprës së atyre që arritën të shmangnin apo të zvogëlonin pasojat e tragjedive në shoqërinë tonë.
Është datëlindja e Policisë së Shtetit, momenti i duhur për të shprehur mirënjohjen e pakursyer, para emrave të atyre punonjësve të policisë, që qëndrojnë mbi kohën dhe jetuan fizikisht mbi këtë tokë, të cilët me kalimin e kohës, për ne kolegët dhe pasardhësit e tyre janë shndërruar në një dekalog që përfaqëson forcën dhe qëndresën gati mbinjerëzore në disa nga periudhat më kritike për të ardhmen e vendit tonë.
Një thënie e vjetër, gati sa historia e qytetërimit thotë se: “E gjithë jeta e njeriut është një udhë!” E pra, sot do të jenë disa udhë të tilla, që ne po i pagëzojmë me emra martirësh, mbi të cilat do të kalojnë e pikëtakohen gjenerata të ndryshme, gjurmët e të cilave drejtohen gjithmonë e më tepër nga e ardhmja.
Pas kësaj ceremonie, jo vetëm në Tiranë, por në disa qarqe të vendit, disa rrugë që nga sot e tutje, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe mbështetje të pushtetit vendor, do të pagëzohen me emrat e policëve të rënë, dhe kjo na jep një tjetër ndjesi e motivim.
Jo vetëm do të njohim e të kuptojmë përjetësinë e këtyre emrave, por me gjasë do të na duhet të shohim se ata më tepër se kushdo tjetër, do të vijojnë në një tjetër formë, misionin e tyre në komunikimin e përditshëm me qytetarët, duke qëndruar si etalone të kujtesës, në mbrojtje dhe edukimin e tyre me vlerat me të larta morale, qytetare e patriotike”, tha Nano.
/a.r