Albana Vokshi, përmes një statusi në rrjetet sociale, bën me dije se nuk e njeh vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike, i cili e kishte vendosur në listën e të përjashtuarve, përkrah Sali Berishës dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit Rithemelues të PD.
Deputetja deklaron se nuk e përjashtojnë dot një grup personash që nuk kanë lidhje me PD. Sipas Vokshit, i vetmi organ legjitim në parti është Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetor 2022.
“Nga PD nuk më përjashton dot një grup uzurpatorësh që PD-në e kanë mjet për pasurimin personal, ndaj e duan me çdo kusht.
Ata nuk kanë lidhje as me demokratët as me demokracinë. I vetmi organ legjitim në Partinë Demokratike, mandatuar nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetor 2022, është Komisioni i Rithemelimit të PD në të cilin unë jam anëtare.
Lulzim Basha është shkarkuar me 4446 vota të delegatëve legjitim të Kuvendit Kombëtar të PD, vendim ky i ratifikuar në mënyrë unanime nga rreth 44 mijë anëtarë të PD në referendumin e dt 18 dhjetor 2022’, shkruan Vokshi.
Edmond Spaho, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, ka reaguar për A2 CNN pas vendimit të marrë nga kryesia e partisë për përjashtimin e tij nga partia.
“Lulzim Brava mund të më shkarkojë, nëse do të isha anëtar, vetëm nga shoqata e tij me Gaz Bardhin. E ashtuquajtura kryesi e zgjedhur në kundërshtim me statutin dhe e shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit nuk merr dot asnjë vendim për mua dhe këdo”, tha Spaho në një komunikim me gazetaren e A2 CNN, Arestina Skënderi.
g/kosovari