Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar mesazhin e një demokrateje që ishte e pranishme ditën e djeshme në protestë së bashku me djalin 14-vjeçar. Berisha tha se Lulzim Basha është në armiqësi totale me të gjithë anëtarësinë dhe familjarët e tyre, me të vdekur dhe të gjallë të kësaj partie. Ai e akuzoi Bashën se ka përpiluar lista për arrestimin e demokratëve.
“Një demokrate e cila më thotë, erdha bashkë me djalin tim 14-vjeçar sepse ai më ndjek në çdo protestë dhe pasi na hodhën gaz në mënyrë të paimagjinueshme, vështirësia ime më e madhe ishte se djali më pyeste si ka mundësi na hodhi gaz Lulzim Basha. Lulzim Basha është në armiqësi totale me të gjithë anëtarësinë dhe familjarët e tyre, me të vdekur e të gjallë të kësaj partie. Le të ndryhet sa të dojë. Ka ndenjur mbrëmë deri në mëngjes duke bërë listat e demokratëve që kërkonte të arrestoheshin, sikundër ka fshehur vrasësit dhe kriminelët në seli. Të dhëna të sigurta se Lulzim brava ka nxjerrë armët e tyre jashtë me mjetet e tij në mënyrë që në rast se policia do të imagjinonte të hynte me forcë, të mos gjendeshin të armatosur banditët që dhe tani i ka brenda.
I siguroj demokratët se protesta e radhës do mbahet dhe gjithçka do jetë në funksion të interesit të tyre dhe kur të gjykohet koha më e përshtatshme. kjo është selia e PD-së.
Ai nuk mund të pranohet. Ne kemi ndjekur siç keni parë ju në mënyrën më rigoroze, rregullat dhe zbatuar ligjet. Ju e patë se asnjë gur i vetëm nuk u gjuaj ndaj narkopolicisë, pavarësisht nga sjellja shtazore e saj, pavarësisht nga sasia shumë herë e palejueshme e gazit që përdori. Revolucioni është i pamposhtur”, deklaroi Berisha.
I pyetur se çfarë e bëri që të mbyllte protestën, Berisha tha se ishte gazi i hedhur në sasi toksike.
“Fare thjeshtë, ishte gazi që hodhën në sasi toksike dhe njerëzit ishin të shtrirë në anë të Lanës nga helmimi. Në betejë ka një tërheqje, kur shihet se është përdorur një lëndë toksike dhe kjo ishte e vetmja arsye. Unë isha këtu, vazhdova, hodhën gaz direkt tek ura, por kjo me motivon më shumë”, tha Berisha.
Berisha tha se edhe nëse nuk do ndërhynte policia nuk do kishte asnjë viktimë.
“Asnjë viktimë nuk do kishte. A patë një njeri të armatosur. Asnjë. Ata janë punonjës të PD-së, janë deputetë të PD-së. I përgëzoj të gjithë ata deputetë të forcës sonë politike që refuzuan skenarin kurth të Lulzim bravës që kërkonte t’i përdorte mish për top”, tha Berisha.
Sipas tij, shkatërrimi i godinës, i tmerrshëm i saj është blindimi, shndërrimi i saj në një bunker si asnjë ndërtesë partie në Europë, në mënyrë identike me kryeministrinë e Edi Ramës. “Nuk ka më shqiptar që nuk e ka të qartë se Edi Rama ka një zyrë në kryeministri dhe mjerisht deri sa ta çlirojmë një zyrë në këtë seli. Nuk ka më qytetar shqiptar që nuk e ka të qartë se Lulzim Basha është murosur në muret e kryeministrisë deri sa ta çlirojmë dhe atë nga Edi Rama”, tha Berisha.
/b.h