Partitë opozitare kanë vendosur të investojnë para të majme për ta rrëzuar Qeverinë.
Protesta e nesërme, sipas shpenzimeve të bëra deri më tani, vlerësohet të ketë kushtuar në mes të 50,000 dhe 100,000 euro. Pyetja është se kush dhe pse po e paguan këtë fushatë?
Nesër pritet të mbahet protesta e ardhshme e tri partive opozitare dhe liderët e partive Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj paralajmërojnë se do të përdorin çdo mjet për të rrëzuar qeverinë. Me gjasë, mjaft shumë mjete janë duke u shpenzuar për të arritur këtë qëllim.
Sipas kalkulimeve të thjeshta, del se protesta e nesërme opozitare kushton midis 50 mijë, deri në 100 mijë euro. Shtrohet pyetja se kush po i paguan këto mjete?
Fillimisht, sipas informatave të kompanive të reklamimit, opozita ka mbuluar qytetet me billbordë, si dhe kanalet televizive me reklama që ftojnë qytetarët të marrin pjesë ne protestë.
Minimum 20 billbordë kushtojnë diku rreth 4,000 euro deri 8,000 euro varësisht prej kompanisë, qytetit dhe lokacionit. Reklama 30 sekondshe televizive e transmetuar në kanalet kryesore televizive poashtu në kohën më atraktive para lajmeve kushton rreth 8,000 deri 15,000 euro për transmetim. Edhe kostoja e printimit për posterë dhe pankarta, sipas ekspertëve të marketingut është minimum 3,000 euro.
Skena e madhe që po përgatitet për folës kushton rreth 12,000 euro me zërin, pasi skenat e tilla përdoren vetëm për koncerte të mëdha. Sipas burimeve opozitare, janë planifikuar rreth 100 nisje autobusësh nga komunat kosovare për të mbledhur protestues dhe me një kosto prej 50 deri 70 euro për autobus, arrihet nga 5,000 deri tek 7,000 euro vetëm për transportin e organizuar. Objektet dhe uji që rëndom u ofrohet protestuesve nga komunat tjera në rast se mblidhen 5,000 qytetarë, poashtu kushton diku rreth 7,500 euro. Kosto tjera shtesë mund të ketë deri më 10,000 euro, duke iu afruar kështu shumës prej 100,000 euro të shpenzuara për një protestë të vetme. Duke marrë parasysh që kjo është protesta e dytë e tillë e organizuar për sivjet, ndërsa edhe disa tjera po paralajmërohen nga opozita deri në dorëheqje të qeverisë, atëherë shtrohet pyetja se kush dhe për cilat arsye po e financon fushatën e opozitës për rrëzim të Qeverisë?