Vinçens Piroli që u plagos mbrëmjen e së hënës ishte në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se bashku me Dorian Lalën kane vrarë malazezin, Momçillo Gjurishiç. Ky i fundit u qëllua në Ulqin në lokalin e tij më 4 Korrik të 2021. Piroli dhe Lala akuzohen nga drejtësia e Malit te Zi si vrasës me pagesë të porositur nga një familje kosovare për gjakmarrje.
Ekzekutimi i 68-vjeçarit malazez lidhet me një vrasje që ka bërë djali i tij në vitin 2017. Savo Gjurishiç, djali i Momcillo Gjurishiç ka vrarë me armë zjarri 53-vjeçarin nga Kosova Beqë Likaj, 53 vjeç, për të cilën është dënuar në 2018 me 13 vjet e gjysmë burg.
Sipas mediave malazeze Gjurishiç ka deklaruar se e ka vrarë shtetasin nga Kosova pasi e ka gjetur në banesë me të dashurën e tij.
Ai është mbrojtur duke thënë se kur vajti në banesë dhe shpërtheu derën e ka gjetur Beqë Likajn të zhveshur dhe pasi janë përleshur ai për vetëmbrojtje e ka qëlluar me armë. Ndërsa ish-e dashura e Gjurishiqit, Mirnesa Divljanoviq ka pohuar se ajo dhe viktima që ishte thjesht një mik i saj sapo ishin ulur në shtëpi kur Savo ka hyrë dhe e ka vrarë Likajn. Gjurishiç u kap pas 10 orësh dhe u dënua nga drejtësia malazeze, por familja e tij që në atë periudhë kishte deklaruar se kanë frike nga hakmarrja e familjarëve të viktimës.
/a.r