Albin Kurti është nacionalist i majtë. Është ky statusi ideologjik që i ka përcaktuar kryeministrit të Kosovës, Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Në një intervistë për REL, ai tha se “ai ndjek ideologjinë e nacionalizmit të krahut të majtë”.
Më tej, ai tha se Kurti nuk ka strategji në dialogun me Serbinë. “Diçka që më ka bërë përshtypje në qeverinë e tij të parë ka qenë ajo se ai kurrë nuk ka artikuluar një strategji për dialogun me Serbinë. Krejt çfarë ka thënë kanë qenë kritika për qeveritë e kaluara. Pra, të stilit që ‘ne nuk duam të bëjmë atë që po bëjnë ata’.
Mirëpo, nuk është deklaruar kurrë më shumë dhe mendoj se kjo është për shkak se as ai nuk e di si dëshiron të duket dialogu. Ai dëshiron të mos i japë prioritet dialogut”, arsyeton Prelec.
Ndërkohë, sipas Marko Prelec, Kosova po humb nga mospjesëmarrja në projektin e “Open Balkan”.
“Mendoj se po humb, sepse një fushë në të cilën do të mund të punonte Kosova është ajo e marrëdhënieve multilaterale. Marrëdhëniet bilaterale me Serbinë janë të bllokuara, mirëpo ekziston mundësia që të ndërveprojë me Serbinë si e barabartë në forumet rajonale. Do t’ia vlente që të provohej si përvojë. Serbia ka thënë se është e hapur në këtë iniciativë, ashtu sikurse dy vendet tjera, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Alternativë e kësaj iniciative është Procesi i Berlinit. Nuk e kuptoj pse shkojnë te njëra dhe jo te tjetra. Ndoshta sepse përmes Ballkanit të Hapur mund të bëhen disa gjëra shpejt dhe në mënyrë të pistë, qofshin ato edhe vetëm premtime.
Procesi i Berlinit, në anën tjetër, duket se po merr shumë kohë dhe nuk po prodhon shumë rezultate”.
Gjithashtu, Prelec e quan mosliberalizimin e vizave për Kosovën si një dështim të madh europian.
“E ndaj mendimin e njëjtë sikurse të shumë tjerëve se kjo është një ndër dështimet më të dëmshme të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare. Shtetet që kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, duhet ta ndërrojnë pozicionin e tyre menjëherë.
Një mik i imi thotë se Kosova duhet të punojë me parlamentet e Francës, të Holandës dhe secilit shtet që ka dilema. Thjesht, duhet t’i pyesin: Si mund t’ju bindim? Nuk e di nëse do të ndodhë liberalizimi, mirëpo duhet të ndodhë”.